KARAKTERISTIKAT E OPINIONIT PUBLIK - Forum
E Shtunë, 2016-12-10, 3:45 PM
Welcome Guest | RSS

"Zef Lush Marku" II-1

[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
Page 1 of 11
Forum » Mësime » Sociologji » KARAKTERISTIKAT E OPINIONIT PUBLIK (Nocioni i opinionit publik)
KARAKTERISTIKAT E OPINIONIT PUBLIK
PapucjaDate: e Enjte, 2010-03-11, 0:45 AM | Message # 1
Major
Group: Administrators
Messages: 82
Reputation: 0
Status: Offline
Nocioni i opinionit publik

Njëri ndër faktorët kryesor të organizimit politik dhe shoqëror është opinioni publik. Opinioni publik përkatësisht sintagma – “Vox populli”-“Vox dei” (“Zëri i popullit - Zëri i Zotit”), si element i rëndësishëm i demokracisë dhe i shoqërisë civile demokratike, në kuadër të së cilës zhvillohet jeta politike, konsiderohet çështje kryesore e interesimit të shkencave sociologjike, juridike, politike dhe psikologjike.
Esenca e këtij fenomeni dhe ndërlikueshmëria e tij, paraqesin çështje me rëndësi për çdo shoqëri, e veçanërisht për shoqërinë bashkëkohore. Për ta kuptuar esencën dhe aktualitetin e këtij fenomeni, është e nevojshme të shqyrtojmë dhe analizojmë nocionin dhe domethënien e opinionit publik, të kuptohen kushtet dhe rrethanat e ndryshme shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore të lindjes së tij si dhe të bëhet një vështrim i shkurtër historik, se si është kuptuar dhe trajtuar gjer më tani ky fenomen shoqëror, dhe si kuptohet edhe sot.
Fjala opinion publik zanafillën e ka nga gjuha latine dhe franceze. Ky nocion në gjuhën shqipe nuk ka pasur aplikim të gjërë tek të gjitha shtresat shoqërore, si e ka pasur në Europë e më gjërë, por vetëm tek një shtresë e intelegjencies së kësaj shoqërie. Shkakun duhet kërkuar në mosarsimimin masovik të të gjitha shtresave shoqërore shqiptare nga një anë, dhe në strukturën e organizimit shtetëror dhe politik të shqiptarëve, e cila kohëve të fundit nuk ishte në favor të shqiptarëve, të administratës dhe politikës shtetërore të tyre, sidomos në Kosovë. Kjo është ndër arsyet kryesore që në këte punim do të bëjmë fjalë për këte çështje, të cilën e konsiderojmë një ndër kategoritë më relevante të mendimit sociologjik bashkëkohor në kohën e sotme.

[1] Opinioni publik si nocion dhe si pjesë përbërse e jetës është fenomen relativisht i ri. Fjala opinion publik ka origjinë anglo-saksone dhe për herë të parë përdoret në fund të shekullit XVIII të. Shprehjen opinion publik i pari e përdori fiziokrati i njohur francez Luis Sebastian Marcier, sipas të cilit “publiku paraqet një grumbull qytetarësh, shumica e të cilëve përkrah një mendim të caktuar”.
Shkrimtari dhe burrështeti i shquar anglez Xhon Solsberi, opinionin publik e konsideron si formë të përkrahjes dhënë Parlamentit dhe pushtetit. Opinioni publik përkufizohet si qëndrim i përfaqësuesve të një bashkësie shoqërore ndaj çështjeve të caktuara politike dhe shoqërore, ndaj veprimeve dhe aksioneve politike të grupeve apo të individëve dhe ndaj faktorëve të tjerë shoqërore të cilët kanë ndikim real ose të imagjinuar për një shoqëri. Një kohë të gjatë, shkencat shoqërore kanë pasur qëndrim indiferent ndaj opinionit publik.
Shumica e sociologëve dhe e psikologëve opinionin publik e kanë institucionalizuar dhe kristalizuar në zakone, tradita, në dokumente të shkruara dhe në forma të tjera të kulturës. Si fenomen politik, opinioni publik është rezultat i formave të caktuara të demokracisë dhe qytetërimit si dhe shfaqjes dhe zhvillimit të shkencave politike.
Është karakteristikë se në disa vende (sidomos në SHBA dhe në Angli), shkenca politike është formuar si studim i opinionit publik. Është me rëndësi t’i theksojmë punimet shkencore mbi opinionin publik të ish rektorit të Universitetit të Harvardit – Lovelit dhe sociologut amerikan Valter Lipmanit. Këta mendimtarë konsiderohen ndër themeluesit e teorisë mbi opinionin publik, e cila konsiderohet pjesë integrale e shkencave politike, liberale - demokratike në shumicën e vendeve të Europës perëndimore.
[2] Opinioni publik paraqet një mënyrë të pjesëmarrjes së gjërë të popullsisë në shqyrtimin e çështjeve të përgjithshme publike. Në literaturë ndeshim mendime të ndryshme lidhur me opinionin publik. Disa autorë, (si Xhon Devey, F. Ëillson, etj.) opinionin publik e kuptojnë si liri subjektive të individit, që shprehë gjykimet personale mbi çështjet e përgjithshme politike dhe shoqërore. Disa të tjerë, (Xhejms Brajs dhe Xhon Djuji) theksojnë se, opinioni publik është fenomen shoqëror i bazuar në këmbimin e qëndrimeve shoqërore, me anë të votës apo fjalës së pazëshme që krijohet në bazë të qëndrimeve të të gjithë qytetarëve. Ka edhe autorë të tjerë, (si Ferdinant Tenis, Max Weber etj.) të cilët opinionin publik, e përkufizojnë si fenomen kolektiv të interpretimit të informatave, përkatësisht si dëshmi kolektive për iniciativa dhe për aksione të ndryshme politike dhe shoqërore.
Opinioni publik paraqet reagim psikologjik dhe ideologjik që përkrahë ose kundërshton masat ose vendimet që janë me interes për shoqërinë. Ai paraqet reagim kolektiv emocional dhe mendor ndaj çështjeve të ndryshme me të cilat ballafaqohet shoqëria. Thuhet se vendimi i një qeverie gëzon apo nuk e gëzon përkrahjen e opinionit publik, se aksioni ushtarak i një qeverie në një vend të huaj hasë gjithnjë e më tepër në dënimin e opinionit publik, apo se opinioni publik është i ndarë (i distancuar) rreth nxjerrjes së ndonjë reforme. Ndonjëherë opinioni publik përmbahet, nuk shprehet hapur, por në formë pëshpëritjeje. Në këte mënyrë ”opinioni publik shpesh herë paraqitet si formë e jetës shoqërore, andaj qeveritë duhet pasur kujdes kur kërkojnë përkrahjen apo në hulumtimin e rezistencës në të.”
[3] Ish kryetari amerikan Th. Ruzvelti ishte i vetëdijshëm se opinioni publik amerikan në vitin 1941 nuk ishte i disponuar për t’u përfshirë në Luftën e Dytë Botërore, dhe se do të duhej bërë përgatitje graduale përmes një propagande të shkallëzuar për t’a bindur atë për një gjë të tillë. Opinioni publik është burim i rezistencave të ndryshme dhe i aksioneve të llojllojshme spontane, që përmes mjeteve propagandistike mund të ndikohet në të, për t’i dhënë kahje të drejtë qëllimeve të paramenduara të udhëheqësve. Sigurisht që, ekzistojnë edhe kufinjtë e ndikimit të tillë. Kur Daladier-i dhe Chambelian-i kapitulluan nga Hitleri në Munhen në vitin 1938, pakënaqësia e opinionit publik ishte aq e theksuar sa që ata, e dinin mirëfilli se një operacion i ngjashëm nuk guxon kurrsesi të përsëritet edhe në vitin 1939.
Formimi i opinionit publik është proces i paorganizuar dhe spontan. Në këte proces ndikojnë shumë faktorë shoqërorë, me qëllim që opinionin publik t’a orientojnë në drejtim të caktuar, ta modifikojnë ose ta kontrollojnë sipas nevojave të tyre. Pushteti dhe partitë politike, organizatat fetare dhe grupet tjera të organizuara shoqërore, në mënyrë sistematike e zhvillojnë aktivitetin e tyre në këte drejtim. Për zhvillimin e këtij aktiviteti, ato posedojnë me mjete të fuqishme dhe me metoda të përkryera. ”Përparimi i teknikës, i mjeteve propagandistike dhe i aftësive për të manipuluar me opinionin publik, në të shumtën e rasteve, paraqet rrezik permanent në shkatërrimin e rrjedhave demokratike. Çështje kryesore dhe me rëndësi është se në duar të kujt gjenden mjetet e informimit masovik dhe të propagandës, siç janë: shtypi, radio, filmi, televizioni etj.”
[4] Opinioni publik, në kuptimin klasik, si diskutim dhe si vendosje politike, lajmërohet në të menduarit shoqëror modern në kohën e përfaqësuesve të “kontratës shoqërore”, përkatësisht të demokracisë borgjeze (qytetare). Këtij nocioni i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe filozofi francez Zh. Zh. Ruso, duke e vënë atë në lidhje të ngushtë me teorinë e vet të “vullnetit të përgjithshëm” të popullit. Edhe tek shumë teoricienë të tjerë (si Necker-i, Wieland-i, Bentam-i etj.), ekziston tendenca që nocioni i opinionit publik (“L’opinion publique”), të identifikohet me nocionin “vullneti i përgjithshëm” apo “vullneti kombëtar”, gjë që ngërthen në vete në një farë mënyre paralelizmin në mes vullnetit të popullit dhe sovranitetit të tij. Në diskutimet e mëvonshme është vërtetuar se duhet dalluar këto dy nocione, sepse nocioni i opinionit publik nuk paraqitet si i tillë, as paralelizëm e as sovranitet. Në shoqërinë moderne, opinioni publik humbi kuptimin e vullnetit të popullit, sepse midis mendimit të qytetarëve dhe pushtetit shtetëror, u ndërtua një sistem i ndërlikuar i ndërmjetsuesve në formë të partive politike, mjeteve të komunikimit masiv, tubimeve, parlamentit, këshillave të ndryshme, pushtetit ekzekutiv etj.
Si dukuri e paorganizuar dhe spontane, opinioni publik u kundërvihet formave të organizuara të jetës shoqërore. Me zhvillimin e burokracisë, të propagandës dhe mjeteve moderne të komunikimit (shtypit, radios, televizionit etj.), - opinioni publik gjithnjë e më shumë merr kuptimin e elementit pasiv.
Në vend se të shkëmbejnë mendimet dhe fjalët e gjalla ndërmjet veti, pjesa dërmuese e njerëzve të tubuar në një hapësirë të kufizuar, pranon fjalët e të tjerëve nga një largësi e madhe – duke vepruar si një ushtri e shkapërderdhur së cilës i nevojitet një kohë e gjatë të konsolidohet dhe t’i ngjeshë radhët për t’a ndier fuqinë e vet. Andaj, opinioni publik në kuptimin bashkëkohor nuk është i njëjtë me “vullnetin e përgjithshëm të popullit” apo “vullnetin kombëtar”, sepse:
a) opinioni publik nuk mund të lidhet me vendime ligjvënëse (për të cilat ekziston parlamenti) apo me nocionin e sovranitetit në kuptimin e “vullnetit të përgjithshëm të popullit”, edhe pse trupat shoqëror që e përfaqësojnë “vullnetin e përgjithshëm të popullit” duhet të kenë kujdes për opinionin publik, dhe
b) “vullneti i përgjithshëm i popullit” apo “vullneti kombëtar” paraqet diçka të jashtëzakonshme, diçka që është arritur me shumicën e votave, dhe ku pakica obligohet që t’a ndjekë apo t’a përkrahë mendimin e shumicës.
Në të kundërtën, opinioni publik nuk paraqet diçka të jashtëzakonshme, që është përcaktuar me shumicën e votave, por diçka të nduarnduarshme me mendimet dhe ndikimet e klasave dhe grupacioneve të ndryshme shoqërore, edhe pse në momentin e caktuar njëri nga mendimet mund të jetë “kryesuesi”, apo “dominuesi” apo thjeshtë “më i zëshmi” dhe “më autoritativi”.
”Është e vërtetë se edhe sot e kësaj dite, ekzistojnë tendenca që opinionit publik t’i epen karakteristikat e pushtetit legjislativ, dhe të aplikohet demokracia e drejtpërdrejt, për ndryshim nga demokracia e tërthortë, e cila ushtrohet përmes përfaqësuesve popullorë.”
[5] Si formë e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, opinioni publik ka të bëjë me organizimin e pushtetit dhe me funksionimin e organeve politike dhe institucioneve të tij. Ai ka për qëllim të kontrollojë dhe të kritikojë punën e pushtetit shtetëror, sidomos politikën e fshehtë shtetërore, e cila është karakteristikë e çdo pushteti absolut.
Synim kryesor i opinionit publik është ndryshimi i realitetit shoqëror, zhvillimi dhe afirmimi i marrëdhënieve njerëzore, faktike, të barabarta dhe demokratike si dhe luftimi i dukurive dhe i tendencave të ndryshme antidemokratike. Lufta kundër dukurive negative nuk mund të jetë e suksesshme, nëse nuk përfshinë krijimin e raporteve demokratike, si dhe transformimin ideor e moral të qytetarëve.

Message edited by Papucja - e Enjte, 2010-03-11, 0:46 AM
 
Forum » Mësime » Sociologji » KARAKTERISTIKAT E OPINIONIT PUBLIK (Nocioni i opinionit publik)
Page 1 of 11
Search:


Copyright Nusret © 2016
Powered by: Papucja