Sociologjia e Georg Simmelit - Forum
E Shtunë, 2016-12-10, 3:45 PM
Welcome Guest | RSS

"Zef Lush Marku" II-1

[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
Page 1 of 11
Forum » Mësime » Sociologji » Sociologjia e Georg Simmelit
Sociologjia e Georg Simmelit
PapucjaDate: e Enjte, 2010-03-11, 2:37 AM | Message # 1
Major
Group: Administrators
Messages: 82
Reputation: 0
Status: Offline
SOCIOLOGJIA E GEORG SIMMELIT[i]

G. Simmel është lindur më 1 mars 1858 në Berlin, si fëmija më i vogël i familjes. Babai i tij ka qenë një afarist çifut që ka konvertuar në fe tjetër. Nëna e tij ka qenë autoritare. Marrëdhëniet e tij me nënën kanë qenë të ftohta dhe jo të sinqerta.

Simmeli pasi e kreu shkollën e gjimnastikës i filloi hulumtimet e tij në fushën e historisë dhe filozofisë në Universitetin e Berlinit, së bashku me njerëz të popullarizuar të asaj kohe dhe me karrierë akademike me peshë si me historianët Mommsen, Treitschke, Sybel, Droysen, me filozofët Harms dhe Zeller, me antropologët Lazarus dhe Stainthal.

Titullin e doktorit të shkencave e fitoi në vitin 1881 me tezën "The Nature of Matter According to Kant's Physical Monadology" (Natyra e substancës sipas monadologjisë fizike të Kantit).

Simmeli njihet me diturinë e tij të gjerë dhe të qëndrueshme duke filluar nga historia e filozofia e deri te psikologjia. Ai përgjatë karierrës së vet nuk i ka ndjekur akademikët gjermanë që vazhdimisht kanë kaluar prej një universiteti në tjetrin. Përkundrazi, ka qëndruar në vazhdimësi në Universitetin e Berlinit. Hulumtimet e tij prekin çështje të logjikës, të historisë së filozofisë, të moralit, të psikologjisë sociale, të sociologjisë etj. Ai ka ligjëruar filozofët e njohur si Kanti, Schopenhaueri, Darwini dhe Nietzsche. Simmeli është një qytetar që s'ka qenë i lidhur me kulturën popullore tradicionale (traditional folk culture). Ferdinand Tönniesi, në lidhje me tekstin e parë të Simmelit është shprehur kështu: "Ky libër është shumë i gjallë, i qëlluar dhe i dobishëm, por ama plotësisht e pasqyron metropolin".

Në kohën kur bënte përpjekje të ngritej në aspektin akademik dhe s'i jepej mundësi për një gjë të tillë, ishte një shkrimtar i zgjuar. Është autor i 15 veprave nga sociologjia, etika, filozofia dhe i mbi 200 artikujve të botuar nëpër revista dhe gazeta të ndryshme. Gjashtë libra dhe mbi 20 artikuj të tij janë përkthyer në anglishte, në frengjishte, në italishte dhe në rusishte. Vepra e tij e parë është On Social Differentiation (Mbi diferencimin shoqëror). Me këtë vepër, Simmeli ka dhënë sugjerime në lidhje me problemet e ndryshme sociale. Njëra ndër veprat kryesore të tij është edhe The Problems of Money (Çështjet e parasë).

Më vonë ai e përpiloi veprën kyç në sferën e sociologjisë: Sociology: Investigations on the Forms of Sociation (Sociologjia: Shqyrtime mbi format e marrëdhënieve). Mes viteve 1892-1893 e botoi veprën Introduction to the Science of Ethics (Hyrje në shkencën e etikës), kurse më 1917, veprën tjetër Fundamental Questions of Sociology (Çështjet themelore të sociologjisë).

Simmeli edhepse shumë pak është çmuar prej kolegëve të tij gjermanë, në SHBA ka ushtruar ndikim të madh. Vepra më e mirë rreth teorisë së Simmelit është shkruar pikërisht në SHBA. Bëhet fjalë për veprën e N. J. Spykmanit, Teoria sociale e G. Simmelit, e botuar në vitin 1925 në Chicago.



Qëndrimet e Simmelit rreth shoqërisë

G. Simmel e ka refuzuar si shkollën organiciste ashtu edhe atë idealiste. Në veçanti e ka kundërshtuar qëndrimin dhe metodën e H. Spencerit - i cili shoqërinë e ka trajtuar si një organizëm - dhe ka pohuar se shoqëria s'mund të kuptohet si një gjallesë. Sipas tij, shoqëria përbëhet prej marrëdhënieve të ndërlikuara mes njerëzve që janë në ndërveprim të vazhdueshëm.

Shoqëria paraqet emrin e numrit të individëve të bashkuar në saje të ndërveprimit. Strukturat mbindividuale si klani, shteti, familja, qyteti dhe sindikatat janë kristalizim i këtij ndërveprimi. Simmeli thotë se nëse i hudhim një sy sociologjisë do të shohim se kjo shkencë shpesh shpjegohet dhe cilësohet përmes qasjes organiciste që në Francë është zhvilluar nga Comte, në Angli nga Spenceri, kurse në Gjermani, nga Schaffle. Kjo pikëpamje, e thekson vazhdimësinë themelore mes natyrës dhe shoqërisë.

Në pikëpamjen organiciste, procesi shoqëror, në aspektin cilësor, është menduar si një proces biologjik, kurse jeta, si një zinxhir i krijesave të mëdha që niset prej ngjarjeve natyrore të thjeshta dhe arrin te organizmat shoqërorë të diferencuar. Për këtë arsye, edhepse janë zhvilluar në kuadër të shkencave natyrore, është ndjerë nevoja që metodat të adaptohen në disa pjesë të shkencave shoqërore. Jeta shoqërore e pikëpamjes organiciste ashpër është kundërshtuar me mendësinë shkencore gjermane.

Tradicionalizmi gjerman ka theksuar se shkencat natyrore dallojnë në cilësi prej atyre humane. Në këtë aspekt, mund të thuhet se ligjet natyrore s'kanë vend në punimet kulturore të njerëzimit. Sipas Simmelit, shkenca duhet t'i ekzaminojë aspektet dhe dimensionet e ndryshme të ngjarjeve dhe fakteve.

Sociologjia studion atë që u ndodh njerëzve, sjelljet e tyre sipas normave të ndryshme. Edhepse sjelljet e të gjithë njerëzve janë sjellje të individëve, shumica e tyre mund të shpjegohen në bazë të marrëdhënieve në grup.

Simmeli, duke u nisur nga lënda e saj, e ndan sociologjinë prej shkencave të tjera duke thënë se ajo ka përmbajtje dhe trajtë të pavarur dhe pohon se forma është një temë e veçantë me të cilën merret sociologjia e përgjithshme. Sociologjia e projektuar duke u nisur nga kjo pikëpamje e ka marrë emrin "sociologji formale".

Mund të thuhet se është Simmeli ai që me hulumtimet e tij të bazuara në metodën objektive e hapi periudhën e sociologjisë formale që paraqet sociologji empirike.

Simmeli dhe shkolla e formave shoqërore

Simmeli, i cili konsiderohet si një nga themeluesit e shkollës së sociologjisë formale, ka shtruar idenë se sociologjia për të qenë një shkencë duhet të ketë lëndën e vet me të cilën nuk merren shkencat tjera, duhet të ketë pikëpamjen e vet specifike.

Atëhera pra shtrohet pyetja se cila është fusha apo pikëpamja sociologjike? Në aspekt të përmbajtjes fushat e dukurive shoqërore si ekonomia, feja, e drejta, morali, historia janë studiuar nga shkenca të ndryshme. Për këtë arsye, në përmbajtjen e jetës shoqërore s'ka ndonjë fushë të veçantë që do të ishte subjekt i sociologjisë. Ekziston vetëm një lëmi që nuk është lëndë e shkencave të tjera: format e socializimit dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Sociologjia, siç është kundruar nga Simmeli s'i rrah temat e rëndësishme ekonomike, etike, psikologjike apo historiografike. Ajo koncentrohet mbi kallëpet e ndërveprimit ekonomik, politik, social, fetar, gjinor etj.



Metoda dialektike në sociologjinë e Simmelit

Sociologjia e Simmelit në përgjithësi ndërlidhet me qasjen dialektike. Sociologu në fjalë, në hulumtimet e veta i thekson tensionet apo konfliktet dhe marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë dhe individit. Simmeli, individin e sheh si produkt të shoqërisë dhe si ndërlidhje në kuadër të procesit shoqëror.

Sipas Simmelit, individi i socializuar është në raporte të dyfishta. Ai ekziston sa për vete aq edhe për shoqërinë. Njeriu social nuk është as krejtësisht shoqëror e as individual. Insistimi i Simmelit në dialektikën që i mbërthen dhe ndikon në të gjitha sferat e marrëdhënieve mes shoqërisë dhe individit na flet për konceptin e përgjithshëm sociologjik të këtij shkencëtari.

Shoqëria ndonjëherë e lejon daljen në shesh të pavarësisë dhe të individualizmit e ndonjëherë e pengon atë. Për Simmelin, sociacioni (marrëdhënia) në përgjithësi e përmbledh në vete harmoninë dhe përplasjen, tërheqshmërinë dhe largimin, dashurinë dhe urrejtjen. Simmeli thotë se grupet harmonike s'mund ta ndajnë mes vete çdo proces social dhe mund të jenë të pafuqishme për të bërë ndryshim dhe zhvillime.

Simmeli thekson se konflikti është shumë i rëndësishëm për shoqërinë dhe më tepër ndalet në funksionet shoqërore të tij. Siç cek edhe K. Otto Hondrich, me përjashtim të përplasjeve që synojnë shkatërrimin, përplasjet dhe konfliktet që ndodhin në një sistem shoqëror kanë funksion integrues.

Konflikti mund të jetë mjet i themelimit të marrëdhënieve që më parë s'kanë ekzistuar. Fëmijët së pari grinden mes vete për një lodër, më vonë i ndihmojnë njëri-tjetrit në lojë dhe luajnë së bashku.

Thënë troç, sipas Simmelit, konflikti është thelbi dhe realiteti i jetës shoqërore. S'mund të shkëputet prej saj. Paqa (peace) dhe grindja (feud), konflikti dhe rendi janë në marrëdhënie të ndërsjella.

Konceptet shoqëria dhe bashkësia te Simmeli

G. Simmel është bashkëkohaniku i Ferdinand Tönniesit që ndër të parët i ka vënë në zbatim konceptet e tij "shoqëria" dhe "bashkësia". Në hulumtimin e tij të titulluar The Metropolis and Mental Life i ka zbatuar qëndrimet e Tönniesit në shoqërinë moderne.

Simmeli e ka studiuar ndikimin e urbanizimit mbi personalitetin, jetën mendore dhe mbi kulturën e njerëzve që jetojnë në qytet. Pikërisht si Tönniesi shoqëritë e qytetit i sheh si më racionale. Në këtë kontekst, Simmeli thotë se në qytet mbizotërojnë marrëdhëniet dytësore dhe të bazuara në interes, kurse në shoqëritë rurale mbizotërojnë marrëdhëniet parësore dhe tradicionale. Racionaliteti i jetës qytetare është fryt i tempos së ngritur të jetës dhe i ndarjes së punës. Simmeli, si Tönniesi, frikohet nga humbja e "bashkësive" në kuadër të jetës moderne, por përkundër Tönniesit, këtë proces, si formë të organizimit social të shoqërisë moderne, e ndërlidh me rritjen e qyteteve.

Thënë shkurt, sipas Simmelit, qyteti është vend ku zhvillohet ekonomia e parasë. Element me rëndësi jetike në qytet është tregu. Mendësia e jetës qytetare bazohet në interesat personalë (self-interests). Sipas tij, rritja e shkallës së indvidualizmit, që mbizotëron në qytet, e fsheh urretjen te individët dhe i ftoh ata mes vete. Në një ambient të tillë, tëhuajësimi (alienation) dhe sjelljet deviante (deviant behaviours) janë të pashmangshme.



Format e sundimit sipas Simmelit

Simmeli, sundimin e sheh si proces të ndërveprimit (interaction). Autoriteti dhe prestigji janë elemente të rëndësishme nga këndi i sundimit. Marrëdhëniet e qeverisjes (superordination) dhe të të qenët i qeverisur (subordination) luajnë role të panumërta brenda jetës shoqërore. Struktura e autoritetit është shumë e rëndësishme për jetën shoqërore. Individi prestigjin mund ta arrijë përmes disa mënyrave. Liderët, që e bartin autoritetin në duart e tyre, e kanë edhe prestigjin.

Simmeli pohon se të gjithë liderët në shumë raste janë të udhëhequr prej të tjerëve dhe shton: "Zotëriu është rob i robit të vet". Lidhur me këtë e jep shembullin e fjalëve që një lider i madh gjerman e ka thënë lidhur me pasuesit e vet: "Unë jam lideri i tyre, për këtë arsye duhet që t'i pasoj ata".

Është me rëndësi të theksohet edhe vepra e Simmelit A Note on the Philosophy of Money (Shënim mbi filozofinë e parasë), e cila për fat të keq është neglizhuar. Njëri prej shkaqeve të shkujdesjes së treguar ndaj kësaj vepre është vetë titulli i saj. Ky libër nuk ngërthen mendime filozofike. Në esencë ka të bëjë me sociologjinë e kulturës (cultural sociology).

Përmbledhje e sociologjisë së Simmelit

Punës ia fillon duke e shtruar pyetjen në vijim: Ç'është sociologjia? Pse njerëzsit sillen kështu apo ashtu? A është e mundshme shoqëria? Njerëzit në bazë të çkafit veprojnë? Simmmeli i kërkon përgjigjet e këtyre pyetjeve. Edhepse sjelljet e të gjithë njerëzve janë individuale, ato mund të shpjegohen vetëm nga prizmi i marrëdhënieve të grupit. Mendime të këtilla kanë edhe R. Ezra Park, C. Horton Cooley dhe G. Herbert Mead.

Në strukturën e tij mendore ka dy faza:

1. Faza në të cilën është ndikuar nga të tjerët, si nga Kanti, Spenceri, Darwini, Marksi dhe Weberi.

2. Faza e hulumtimeve të tij sociologjike.

Kontributi i tij në fushën e sociologjisë është shumë i madh.

a) Mendimit sociologjik ia ka dhënë idenë për madhësinë e grupit (group size) dhe lidhur me të ka bërë këto tipologji:

1. Monadet. (Gjendja kur bëhet fjalë vetëm për një individ dhe në gjendjen në fjalë ka nivel të lartë të lirisë.)

2. Grupet dyshe. (Grupe që përbëhen prej dy vetave.)

3. Grupet treshe. (Grupet që përbëhen prej tre vetave.)

4. Grupet e vogla (small groups): Grupe që përbëhen prej katër vetave.

5. Grupet e mëdha (large groups): Grupe që përbëhen prej pesë e më tepër personave.

b) Koncepti i Simmelit mbi tëhuajësimin ka ndikuar te konfliktualistët bashkëkohorë. Sipas Simmelit, paraja ia hap rrugët lirisë dhe tëhuajësimit.

Sipas Simmelit tëhuajësimi është i pashmangshëm në vendet ku shfaqen industrializimi dhe urbanizimi. Mendimet e tij lidhur me tëhuajësimin i ka përmbledhur në veprën e tij The Metropolis and the Mental Life. Simmeli, në këtë vepër të tij qytetet e mëdha të formuarta si pasojë e urbanizimit të shpejtë i sheh si qendra të vetmisë. Sipas tij, qytetet e mëdha janë vende ku njeriu e humb personalitetin e tij, ku anonimizohet, ku mbetet i vetmuar dhe tëhuajësohet.

Shkurt, sipas Simmelit në qytetet e mëdha njeriu e humb aftësinë për ta njohur veten dhe njerëzit e tjerë. Largohet prej vetvetes dhe prej njerëzve të tjerë. Për pasojë, në qytet tëhuajësimi është i pashmangshëm.

c) Simmeli bën dallim mes përmbajtjes dhe formës. Lëndë e sociologjisë janë format e socializimit apo marrëdhëniet mes njerëzve. Është pikërisht kjo fushë që sociologjisë i mundëson të jetë shkencë e pavarur. Kështu Simmeli ka kontribuar në zhvillimin e sociologjisë formaliste.

d) Sociologjinë e ndërton si një gjë shoqërore empirike dhe vë theks mbi sociologjinë empirike.

e) Duke theksuar se sociologjia duhet t'i studiojë kallëpet dhe format e ndërveprimit, thotë se lëndë e studimit të sociologjisë janë edhe individi edhe shoqëria. Madje, sipas Simmelit mes shoqërisë dhe individt ekzistojnë raporte dialektike.

f) Simmeli është konfliktualist, duke e theksuar tensionin mes indivdit dhe shoqërisë, konfliktin e konsideron si bërthamë të jetës. Simmeli shkakun e fakteve shoqërore e ndërlidh me kujdesin apo lidhjen (sociation) e ndërsjellë të njerëzve që kahëzohet prej gjykimeve evaluative, përmallimeve dhe interesave. Por, cilësia e lidhjeve mund të shfaqet si harmoni, përplasje e ndërsjellë ose si disharmoni dhe mosmarrëveshje (dissociation). Kështu, sipas tij, konflikti paraqet një lloj të marrëdhënieve shoqërore. Në themelin e këtyre marrëdhënieve qëndrojnë elemente psikologjike ose individuale si nevoja, urrejtja, zilia, dëshira, përmallimet etj. Konflikti, që pasqyrohet edhe në raportet dhe sjelljet dinamike mes njerëzve, ka një rol mjaft me peshë në në sqarimin dhe në vlerësimin e proceseve shoqërore.

Pra, sipas Simmelit, është konflikti ai që e mundëson evolucionin shoqëror. Evolucioni, ndryshimi dhe konflikti janë të pashmangshëm. Simmeli poashtu është marrë edhe me përplasjet mes strukturave shoqërore dhe atyre individuale. Por, më tepër e ka trajtuar çështjen e kulturës objektive dhe asaj individuale. Simmeli më tutje shton se konflikti është një formë e socializimit.

Në fund mund të themi se Simmeli është një sociolog që ka ndikuar te teorikët bashkëkohorë të sociologjisë, në veçanti te ata që janë marrë me marrëdhëniet mes njerëzve, te konfliktualistët, te përfaqësuesit e ndërveprimit social, te strukturalistët etj. Koncepti i shfaqur nga L. A. Coser në fjalinë e tij "konflikti mund ta ekuilibrojë shoqërinë", bazohet në shkrimet e G. Simmelit në të cilat ai ka thënë se "shoqëria integrohet përmes përplasjeve të panumërta".

_ _ _ _ _ _ _ _

[i] Ky tekst është shkëputur prej Sezgin Kızılçelik, Sosyoloji Teorileri-2, botimi i dytë, Yunus Emre Grafik Tasarım & Yayıncılık Ltd. Şti., Konja, 1994, f. 391-401.

 
Forum » Mësime » Sociologji » Sociologjia e Georg Simmelit
Page 1 of 11
Search:


Copyright Nusret © 2016
Powered by: Papucja