E Premte, 2024-03-29, 3:02 PM
Welcome Guest | RSS

"Zef Lush Marku" II-1

[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Forum » Mësime » Gjuha Shqipe - Letërsi e Rilindjes » Naim Frashëri (Jeta dhe Vepra)
Naim Frashëri
PapucjaDate: e Enjte, 2010-03-18, 1:02 AM | Message # 1
Major
Group: Administrators
Messages: 82
Reputation: 0
Status: Offline
Jeta Dhe Vepra


• Hyrje

Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur "Zosimea". Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.
Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.
Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë "Shqipëria", në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.
Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat "Bagëti e Bujqësia", "Vjersha për mësonjtoret e para", "Histori e përgjithshme" dhe poemën greqisht "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve", "E këndimit çunavet këndonjëtoreja". Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat" (Ëndërrimet) më 1888 botoi "Dituritë", më 1890 "Lulet e verës", më 1894 "Parajsa dhe fjala fluturake", më 1898 "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelanë" dhe më 1889 "Historia e Shqipërisë". Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit ata që kanë pasur fatin të takohen me Naimin tregojnë për dashurinë me të cilën i priste, për buzëqeshjen dhe zërin e ngadalshëm me të cilin u flistedhe që I bënte të gjthë për vete. Dhe kur biseda kalonte në punët e Shqipërisë, fytyra e sëmurë e poetit gjallërohej, zëri i tij kumbonte fort sikur të ishte plot shëndet. Por sëmundja e mushkërive bënte punën e saj. Dhe më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, ajo e çoi Naimin në varr. Në këtë ditë vjeshte pushoi së rrahuri zemra e madhe e Naimit, që së gjalli rrahu vetëm për të mirën e Shqipërisë; heshti përgjithmonë zëri I ëmbël që së gjalli nuk pushoi së predikuari mirësinë dhe atdhedashurinë; u shua për jetë dielli i patriotizmit dhe i poezisë shqipe. Naimi vdiç por vepra e tij mbeti.Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:
... Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri,
mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai....

Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.
Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit.
Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës.
Në formimin e Naimit si poet ndikuan disa faktorë, por faktori kryesor ishte jeta e popullit të vet dhe lëvizja e tij për çlirim kombëtar.
Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente që u tretën mjaft natyrshëm në veprën e vet. Por krijimtarisë së tij vulën e origjinalitetit ia vuri jeta dhe tradita historike e artistike e populli të vet. Traditat poetike popullore, që përbën një nga burimet e formimit të tij si poet, i dha shumë më tepër nga çdo traditë tjetër. Lidhja me të u shpreh jo vetëm në gjuhën e poezisë së Naimit dhe në figuracionin e pasur, por, në radhë të parë, në përmbatje dhe në frymën e saj.
Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare.
• Lirika Filozofike

Naim Frashëri është poeti i parë shqiptar që i kushton kujdes të veçantë poezisë filozofike dhe mund të quhet themeluesi i saj në poezinë shqiptare.
Ai ka shkruar një numër të dukshëm vjershash filozofike, të përfshira në vëllimet poetike "Vjersha për mësonjëtoret e para", "Lulet e verës", "Parajsa dhe fjala fluturake" dhe në përmbledhjen në gjuhën persishte "Tehajylat" (Ëndërrimet).
Në këto lirika Naimi shpesh shtron pyetje të tilla të karakterit filozofik: C'është natyra? Cilat janë ligjet e saj? Ku është fillimi e ku është fundi i saj? Cili është vendi i njeriut në të? Këtë etje për të përsiatur për gjithçka poeti e shpreh edhe me vargje:
Mendja ime, që s'gjen prehje, bën kërkime
dhe rropatet me aq pyetje-e-mërmërime:
Kush? pse? Çfarë? ku e kur? e si e sa? ("Ëndërrimet")

Naimin e habit dhe njëkohësisht e mrekullon gjithësia, pambarimësia e saj: Toka dhe Dielli, yjet, ndërrimet e stinëve, deti, era, lumi, rrufeja, njeriu, lulet, zogjtë, bagëtia, gjithçka. Poeti mendimtar e sheh gjithësinë si një libër të hapur të cilin njeriu vazhdimisht përpiqet ta lexojë, sepse kështu do të gjejë kuptimin e botës. Kjo pafundësi dukurish e mahnit dhe e gëzon poetin, jo vetëm sepse me to është e lidhur jeta e njeriut, por edhe pse në qënien dhe në rendin e tyre ai sheh shprehjen e ligjeve absolute, sheh mishërimin e perëndisë. Këtë koncept panteist e vumë në dukje edhe te "Lulet e verës".
Një trup është gjithësia
Dhe të sosur s'ka gjëkundi,
më çdo an' është perëndia,
një det që s'i gjendet fundi.

("Gjithësia", "Vjersha për mësonjëtoret").
Botëkuptimi i Naimit në lirikat filozofike shpesh është kontradiktor. Mbasi pohon pafundësinë e gjithësisë, Naimi thotë:
Gjë s'humbet, as pakësohet
edhe sërish nukë shtohet:
çdo q'është përsëritet.

("E vërteta", - "Vjersha për mësonjëtoret")
Një nga mendimet më të rëndësishme të Naimit është ai që lidhet me njohjen njerëzore. Ai mendonte se njeriu është në gjendje, me forcën e arsyes, të depërtojë në të fshehtat e natyrës, të njohë ligjet e saj, ta përdorë natyrën për nevojat e tij, pra, të bëhet gjithnjë e më tepër zot i saj, me anë të njohjes shkencore. Sipas tij, duke njohur natyrën, njeriu njeh krijuesin e saj, zotin:
Është në shesh Perëndia,
i verbëri s'mund ta shohë,
ajo është gjithësia,
i dituri mund ta njohë.

("Perëndia" - "Lulet e verës")
Duhet theksuar se problemet e gjithësisë, të natyrës etj., asnjëherë, Naimi nuk i pa të shkëputura nga njeriu, nga vendi i tij në botë, nga fati i tij. Naimi e vlerëson shumë lart njeriun. Si panteist, poeti mendon se shfaqja më e përsosur e hyjnisë në jetë është vetë njeriu. Njeriu, sipas Naimit, është qëllimi dhe arritja më e lartë e krijimtarisë hyjnore, është trajta e shfaqjes më të epërme, sepse është krijesë me ndërgjegjje e moral. Prej këtij lind edhe ai humanizëm i thellë, ai respekt e dashuri e pakufishme për njeriun.
S'ka më të lartë në jetë
nga njeriu, q'është i vërtetë.

("E vërteta" - "Vjersha për mësonjëtoret")
Naimi mendon se njerëzit vërtet vdesin, por si gjini janë të pavdekshëm, janë të përjetshëm. Duke u kthyer sërish te gjithësia, ata rilindin sërish te breznitë që përsëriten pa fund.
Botëkuptimi i Naimit është sintezë origjinale mbi bazën e panteizmit dhe ka prirje të dukshme përparimtare.
• Idetë Sociale-Etnike Të Naimit

Në veprat për mësojtoret e para “Istoria e përgjthshme”, “Istoria e Shqipërisë”, Naimi trajton problemet e historisë botërore në përgjithësi, problemet e historisë së popullit shqiptar në veçanti. Me problemet e historisë Naimi merret edhe në “Istorinë e Skënderbeut” dhe në disa poezi të tjera. Naimi i drejtohet të kaluarës për të shpjeguar të tashmen dhe të ardhmen, për të gjetur rrugët e shpëtimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Për Naimin Skënderbeu është heroi kryesor, që u ngrit kundër okupatorit turk dhe i bëri ballë me sukses për dhjetra vjet me rradhë; populli shqiptar për të është një nga popujy më të vjetër, në mos m’i vjetri i Europës. “Shqiptari është m’i vjetër, m’i fisëm dhe më trim nga të gjithë kombet e Europës”, shkruante Naimi; “gjuha shqipe është m’e parë e gjithë gjuhëve të Europës dhe m’e bukur...”
“Se ata Kombet e tjerë
Si shqipëtarët s’janë
I përvlojmë me një herë
Atë trimi s’e kanë”
“Evropa ishte në gjumë
Në gjumë të mallëkuar
Në gjumë të rëndë shumë
Donte kohë për t’u zgjuar
Mbahej vetëm Shqipëria”

Në historinë e parashtruar nga Naimi për nxënësit shqipëtarë të Evropës “Aleksandri me shqipëtarët, shpëtoi Evropën nga thonjt e Persisë, e cila do t’ia rrobëronte”.

“Të mos ishte Shqipërija
Që më pret udhën mua(është fjala për Sulltanin)
Sot e tërë njerëzia
Do t’ishte imja pothua!”

Krahas historisë, një vëmendje të veçantë u kushtoi Naimi problemeve etike, figurës morale të njeriut:
“Njeri të qofsha falë!”. Dhe ky aspekt, kjo dashuri e Naimit për njeriun, merr nota hyjnore. Si dikur njeriu i epokës së rilindjes Van Tulp kishte zgjedhur si emblemë të vet një qiri të ndezur me devizën : “Digjem, për t’ju dhënë dritë të tjerëve” dhe Naimi në poezine e tij “Fjalët e qiririt” shpall:

“Unë duke përvëluar
Njerzit i kam ndritur
.............................
Me zjarr t’a djeg mushkërinë
E të tretem për njerëzinë”.

Por njeriu për të cilin bën fjalë Naimi, është një njeri abstrakt, një njeri në përgjithësi, një njeri me germë të madhe, që nuk i përket asnjë periudhe historike, që nuk bën pjesë në asnjë klasë. Thelbi i njeriut si një qenie sociale, si tërësi e marrëdhënieve në prodhim, mbeti i panjohur për Naimin.
Kështu, në “Bagëti e Bujqësi” Naimi i këndon familjes së bujkut, familjes së bariut, i këndon punës së tyre. Ndonëse parimi kryesor i moralit të Naimit që buron nga vlerësimi i lartë që i bën njeriu, është dashuria e njeriut për njerinë, vëllazëria dhe miqësia midis të gjithëve njerëzve. Dashuria, miqësia, vëllazëria janë leitmotiv i “Luleve të Verës”,,,”Mësime”. Në poezinë “Dita e re” Naimi i uron njerëzit:
“Të bëhen të gjithë një shpirt, një trup, të jenë të pajtuar
Është ditë e dashurisë, ditë e vëllazërisë.
Ditë e mbarë e gëzimit, ditë e bardhë e miqësisë”.

Dhe në një poezi tjeter shkruan:
“Ti(Zoti) u përpoqe për njerëzinë
Dhe dashurinë e bëre besë
Njeriut i vure nom miqësinë
Që kur të lindet gjersa të vdesë”.

Sipas Naimit as që duhet luftuar kundër të ligut sepse i ligu vetvetiu do ta pësojë, sepse të ligut ”kurrë nuk i del fundi mirë”. “S’ka në jetë më i lik njeri se tradhëtori i kombit dhe mëmëdheut”.
***

Në veprat e Naimit shihet qartë se ai nuk i qëndron besnik deri në fund konceptit të tij iluministik në lidhje me rrugët e çlirimit të Shqipërisë. Si patriot i flaktë, si njeri i lidhur ngushtë me të gjtha lëvizjet çlirimtare e ndjen dhe e kupton se për çlirimin e Shqipërisë vetëm kultura nuk mjafton, se për këtë çështje do të jetë nevoja për një forcë më të fuqishme, për forcën e armëve. Këtë mendim të tij Naimi e shpreh qartë në veprën :”Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”:

“O ju që jimi rrotull nesh, diplomati thinjakë,
Dijeni fellë e pa dyshim, o bushtër, o dinakë
Sa rron shqiptari gjallë, s’ja çkulni Shqipërinë
Më mirë vdekjen dëshiron, po kurrë robërinë”.

Për këtë flet më së miri vepra e fundit e Naimit “Istoria e Skënderbeut”, ku qartësohet se liria mund të fitohet dhe të mbrohet vetëm me luftë, vetëm me armë në dorë. Në këtë poemë historike, duke i kënduar figures legjendare të Skënderbeut dhe luftërave të tij Naimi kërkon t’i edukojë shqipëtarët, t’i bindë se duhet rrëmbyer armët për të fituar lirinë:
“Përveç shpata e shigjeta
Ato jan’ për ne shpresë”
“A gjallë e me nder të rrojmë
A po në luftë të vdesim”.

Dhe më pas:

“Më mirë gjthë të vdesim
Të shuhemi me një herë
Se në robëri të mbesim
Të poshtë e të humbin nderë”.

Në keto vargje nuk kemi më Naimin zemërbutë dhe gojëëmbël, por një naim luftëtar, një Naim që bën thirrje për beteja të përgjakëshme në emër të idealit të tij, në emër te idealit më të lartë të popullit shqiptar, në emër të lirisë dhe pavarësisë së atdheut.

• Pikëpamjet Patriotike dhe Botëkuptimi

Vepra e Naimit shprehu në mënyrë të plotë e me forcë artistike idealet më të përparuara të Rilindjes, idetë patriotike, demokratike e iluministe që do ta udhëhiqnin shoqërinë shqiptare për të dalë nga errësira mesjetare në dritën e lirisë e të përparimit. Poet e mendimtar, Naimi qëndroi me dinjitet në lartësinë e këtyre kërkesave historike.
Tipari kryesor, ajo që përbën thelbin e gjithë krijimtarisë së Naimit, është patriotizmi. Gjithçka në veprën e tij lidhet me atdheun, me dashurinë e pakufishme për të, për gjuhën, për popullin, për historinë e për gjithçka shqiptare, me detyrën për t'i shërbyer atdheut me devotshmërinë më të lartë. Vargjet më të bukura poetit ia frymëzoi pikërisht ky atdhetarizëm i flaktë.
Çlirimi i Shqipërisë nga zgjedha osmane ishte një nga idealet më të larta të Naimit. Për të arritur këtë, poeti hedh idenë e bashkimit të gjithë shqipëtarëve, si kusht për çlirimin dhe përparimin e tij. Veçanërisht te "Historia e Skënderbeut", poeti pohon se liria mund të vijë vetëm me anë të luftës së armatosur kundër pushtuesit.
Besimi i Naimit në të ardhmen e Shqipërisë së lirë është i madh. Ai mendon se populli ynë, me virtyte të çmuara e me tradita luftarake i ka të gjitha të drejtat të jetojë i lirë. Naimi shpreson se kjo liri do të jetë pak a shumë e shpejtë.
Naimi pati pikëpamje demokratike të përparuara për kohën. Ai mendonte që njeriu lind i lirë. Kulti i lirisë së njeriut përshkon gjithë veprën e tij, ndonëse në kushtet e atëhershme ai tingëllonte abstrakt. Admirues i Revolucionit Francez dhe i ideologëve të tij, Naimi ëndërronte një Shqipëri të lirë dhe demokratike, sipas tipit të demokracive borgjeze të kulturuar e të emancipuar. Edhe Naimi, ashtu si Samiu, ishte për republikën dhe nuk e pranonte formën e monarkisë.
Ai gjithashtu ishte për barazinë midis burrit dhe gruas dhe për të drejtën e arsimimit të të dyve.
Botëkuptimi i naimit u kultivua në klimën e kërkesave për një Shqipëri që do të hynte në një epokë të re historike, që do të qytetërohej e kulturohej. Natyrisht, koha kur jetoi poeti, la gjurmët e veta në botëkuptimin e tij, i cili nuk mundi t'u shpëtonte edhe kundërshtive.
Naimi ishte iluminist, dhe kishte besim të madh në rolin që luajnë shkenca dhe dija për zhvillimin e shoqërisë. Ai çmonte tepër iluministët francezë, Volterin, Rusonë, e të tjerët. Sidomos në veprat diturake ai pranoi dhe propogandoi edhe disa arritje të shkencës së kohës, si teorinë e Darvinit për prejardhjen e qenieve të gjalla, teorine e Kantit e të Laplasit për origjinën diellore të tokës etj. Por në thelb, veçanërisht në veprat poetike, ai pranon qënien e një fuqie të mbinatyrshme. Megjithatë, idealizmi i Naimit u shfaq në formën e panteizmit. Ai e mendon zotin të shtrirë kudo, te njeriu dhe te natyra. Si patriot e iluminist, ai ishte kundër përçarjes fetaredhe kombësinë e vinte mbi fenë, ashtu si edhe rilindësit e tjerë.
Naim Frashëri, si figura qëndrore e letërsisë së Rilindjes, krijoi një traditë të re, që u ndoq nga shumë shkrimtarë të tjerë, dhe u bë themeluesja e letërsisë sonë të re kombëtare.

• Gruaja Dhe Naimi

Mjaft interesante dhe me të vërtetë progressive janë pikëpamjet e Naimit rreth gruas. Gruaja në shoqërinë e atëhershme feudale ishte në një pozitë inferior dhe poshtërruese në krahasim me burrin. Vajzat martoheshin në moshë të vogël dhe pa marrë fare pëlqimin e tyre , vajzat dhe gratë mbaheshin të mbuluara me perçe dhe çarçaf. Kafazet e dritareve dhe muret e larta të shtëpisë, perçja dhe çarçafi e ndanin gruan nga gjithë shoqëria tjeter, e shëndronin shtëpinë në një burg dhe vetë gruan në skllave të vërtetë të burrit. Gruaja në shtëpi as që pushonte fare, ajo konsoderohej si një qenie, mendimi I së cilës as që mund të merrej parasysh.
Pikërisht nga këto kushte ngrihet zëri I fuqishëm I Naimit- I këtij patrioti dhe humanisti të madh- I cili predikon barazinë midis burrit dhe gruas:

“Kur lind vashë mos u vijë liksht,
Se si djalë dhe vasha është,
Si burrë dhe gruaja”.

Gruaja në sytë e Naimit është një anëtare plot dinjitet e shoqerisë, ajo është e barabartë me burrin dhe për më tepër e thirrur të loz një rol të rëndësishëmnë familje për edukimin e fëmijëve dhe nëpërmjet familjes në shoqeri. Prandaj, mëson Naimi, që ta kryej këtë rol të saj, gruaja duhet të jetë e mësuat bile dhe shumë nga burri.
Në botën e edukimit të fëmijëve, në drejtimin e hapave të para të tyre Naimi merr fund roli kuntestues. Ai e çmon lartë rolin dhe pjesëmarjen e gruas në luftën çlirimtare të atdheut. Në “ Istorinë e Skënderbeut” lexojmë këto vargje të Naimit, të shkruara plot dashuri për gruan shqiptare:
“Po ti o motrta Marë
Shtatën në qafë e vare
...........
Mëmëdhe, o jetë-gjatë
Per shpëtimin tënd një herë
Luftoni edhe gratë
E s’ të lini të mjërë”.

Dhe jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe në historinë e vendeve të tjera heroizmat e grave që kanë luftuar për lirinë dhe shpëtimin e atdheut kanë tërhequr admirimin dhe respektin e Naimit.
Në “Istorinë e përgjithëshme” Naimi përmend shembullin e një nëne greke, e cila mbi gjithçka, bile edhe mbi dashurinë për të birin, vë dashurinë për atdheun “gur” e parë në derën e foltores ku u fut Pausania ( I cili kishte kaluar në anën e persëvë) u vu e ëma, duke qarë e duke thënë:”s’ka hije të rrojë më im bir, që tradhëtoi mëmëdhenë, e më nxiu faqen mua dhe prindërve të mij”. Kurse Zhanë d’Arkës, heroinë e popullit francez, që gjatë luftës njëqindvjeçare (1337-14453) doli në krye të luftës çlirimtare të popullit francez kundër okupatorëvë anglezë. Naimi e quan:
“një vashë që nderoi të gjtha gratë”.
“Kombin tënd dhe mëmëhdenë
Lipset shumë t’i duash
Më tepër se vetvetenë
Nga shpirti të mos i çquash.
Për ta të vdeç, për tat ë ronç Të përpiqesh nat’ e ditë
T’i nderosh e t’u apç dritë”.
“Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vijnë
Shkoi errësira;
Lum kush të rrojë
Ta shoh zonjë!

Naimi vdiç pa e parë Shqipërinë e lirë, por fjalët e tij plot besim për të ardhmen e Shqipërisë, për të nesermen e saj të bukur kanë qenë me të vërtetë profetike .


Message edited by Papucja - e Enjte, 2010-03-18, 1:06 AM
 
PapucjaDate: e Enjte, 2010-03-18, 1:25 AM | Message # 2
Major
Group: Administrators
Messages: 82
Reputation: 0
Status: Offline
Analiza E Disa Veprave Më Të Rëndësishme Të Naimit

Bagëti e Bujqësi (analizë)

Poema "Bagëtia e bujqësia" u botua më 1886. Është një nga veprat më të bukura e më të frymëzuara jo vetëm të Naimit, por edhe të krejt letërsisë së Rilindjes. Askush para Naimit nuk i kishte kënduar dashurisë e mallit për atdhe, krenarisë kombëtare dhe bukurisë së natyrës shqiptare me një patos aq të zjarrtë e me një gjuhë poetike aq të ëmbël e të bukur.
Me këtë poemë Naimi krijoi poezinë e madhe të Atdheut e të natyrës shqiptare. Kjo vepër jo vetëm u bë e dashur për bashkatdhetarët, por krijoi një traditë të pasur edhe për poetët që erdhën më pas.
Siç e tregon edhe titulli, poema përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për punët e blegtorisë, për jetën dhe punën e bariut, kurse në pjesën e dytë për punët e bujkut. Megjithatë, kjo s'është aspak një vepër për këto fusha të jetës.
Prej tyre poeti vetëm sa merr pikënisje për të shprehur ndjenjat e flakta patriotike. Në të vërtetë, vepra është një himn poetik i frymëzuar, kushtuar Atdheut, natyrës dhe njerëzve të tij.
Poema hapet me një apostrofë madhështore, e cila me një qartësi të habitshme na sjell para syve bukuritë e natyrës shqiptare, larminë dhe ngjyrat e saj, një peizazh të pafund plot dritë e gjallëri.
O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
fushat e gjera me lule q'u kam ndër mend dit `natë,
ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt' e kulluar,
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar,
do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni
o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.

Motivi i mallit për atdhe zë fill që në këto vargje dhe e përshkron gjithë poemën. Larg vendlindjes, larg maleve dhe fushave, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore, poeti ndien një mall zhuritës për çdo gjë shqiptare. Në atdhe gjithçka është e bukur, ndaj dhe dëshira për t'u kthyer është e papërmbajtur.
Kjo dëshirë për të fluturuar drejt Shqipërisë është shprehur me mjete poetike nga më të ndjerat. Poeti dëshiron të ketë "vrapin e veriut… krahë pëllumbi…, nxitimin e lumit me valë". Me apostrofa plot drithërim ai i drejtohet "fluturës krahëshkruar" ose "dallëndyshes bukuroshe" që t'ia marrin zemrën e përmalluar e t'ia shpien në Shqipëri. Veçanërisht e goditur është similituda, e ndërtuar mbi bazën e përfytyrimeve popullore të marra nga jeta e bariut dhe e bujkut shqiptar:
Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e lë qingji kopenë
blegërinë dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
e ta trembin ai s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë.
Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu, tek jam, mua,
vjen me vrap e me dëshirë aty, në viset e tua.

Një tjetër motiv i fuqishëm, që e bën poemën të dashur e frymëzuese edhe për ne sot, është krenaria për Shqipërinë, krenaria për emrin shqiptar. Me dashurinë dhe krenarinë e flaktë atdhetare, Naimi shprehu një nga idetë më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare. Ai synonte të ngjallte tek bashkatdhetarët ndërgjegjjen kombëtare, t'i bënte të vetëdijshëm se ishin bij të një vendi me vlera të gjithanshme, të një atdheu që priste shumë prej tyre. Zëri i poetit buçet:
Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.

Ishte e para herë në letërsinë tonë që një gjë e tillë shprehej kaq bukur, me kaq zjarr e përkushtim. Në këto dy vargje Naimi mishëron një ide të madhe e të përjetshme: nderin, dinjitetin njeriut ia jep Atdheu, balta e vendlindjes, e gatuar me gjak e djersë, me historinë e me traditat, me fisnikërinë, bujarinë e gjithë vlerat e tjera morale; lumturinë, gëzimin dhe kuptimin e jetës njeriu mund ta gjejë në atdhè, në vatrën e vet, mes njerëzve të vet.
Këto vargje të pavdekshme patën një ndikim të jashtzakonshëm tek bashkatdhetarët, aq më tepër që shumë shqiptarë, të mësuar nëpër shkolla të huaja e të verbuar nga propogandat antishqiptare, e kishin për turp të pohonin kombësinë e tyre të vërtetë. Vargjet e Naimit i prekën në zemër, ua drejtuan sytë dhe shpirtin nga Atdheu, u kujtuan detyrën si bij të tij.
Poema e Naimit është një vepër tipike romantike. Bota e pasur e ndjenjave, dëshira për t'u arratisur "nga brengat, nga thashethemet", nga rrëmuja e qytetit anadollak, krijon një gjendje emocionale të veçantë. Por romantizmi i Naimit është aktiv. Poeti nuk tërhiqet në gjirin e natyrës për të lënguar në vetmi e pikëllim. Përkundërazi duke u mrekulluar nga natyra e bukur shqiptare, nga jeta e thjeshtë dhe e ndershme në vendin e tij, nga fisnikëria e njerëzve të punës, ai ka dashur t'i nxisë shqiptarët ta duan Atdheun, të kthehen në vatrën e tyre dhe lumturinë ta gjejnë në punë .
Motivi i punës mund të themi se shtrihet në gjithë poemën, e cila është kështu një himn për punën dhe për njerëzit e punës, për bujqit dhe barinjtë. Poeti tregon në skena të bukura e plot lëvizje veprimtarinë e përditshme të bariut, të stopanit që bën bulmet, të bujkut që vë qetë përpara menatë; madje, edhe shpendët, kafshët dhe kandrat janë në punë e në lëvizje të përhershme. Në këtë himnizim të njerëzve të thjeshtë e jo të përfaqësuesëve të klasave të larta parazitare, gjejmë edhe njëherë ndjenjat demokratike të Naimit.
Jetën në atdhe Naimi e ka idealizuar, duke e paraqitur me ngjyrat më të bukura e me tone idilike. Ai nuk ka dashur t'i paraqesë plagët dhe kundërshtitë e mëdha të jetës në fshatin shqiptar të asaj kohe dhe kjo bëhet me qëllim, që t'ua bëjë sa më të dashur vendlindjen shqiptarëve. Megjithatë, aty-këtu depërton edhe ndonjë hollësi që tërthorazi flet për ato plagë: varri i një udhëtari të vdekur larg shtëpisë, një plakë e drobitur, një lypës. Mbi të gjitha plaga e madhe e robërisë, padituria, përçarjet, nuk i shpëtojnë nga sytë. Ai i prek tërthorazi në vargjet që mbyllin poemën, kur shpreh dëshirën që Shqipëria të hyjë në rrugën e mbarësisë.
Tregomu dhe shqiptarët udhën e punës së mbarë,
bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqiptarë.
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardhë të lirisë,
udhën e vëllazërisë, vahn e gjithë mirësisë.
Nxirr të vërtetën në shesh, paskëtaj të mbretërojë,
errësira të përndahet, gënjeshtra të pushojë.

Vlerat artistike të poemës janë të gjithanshme, ndaj dhe idetë e saj janë aq të prekshme. Figuracioni është aq i pasur, i larmishëm e i vetvetishëm sa të krijon një ngazëllim të papërmbajtur. Apostrofat drejtuar natyrës shqiptare, enumeracionet e shumta që japin larminë e saj dhe të punëve, krahasimet dhe semilitudat e goditura, epitetet e thjeshta dhe metaforat e bëjnë atë një nga veprat më të frymëzuara të letërsisë sonë. Duke u nisur nga jeta baritore, nga loja e qengjave rreth mëmave të tyre, Naimi krijon dhe simbole shprehëse: fjala "mëmë" përsëritet aq shpesh, sa bëhet simbol, që përgjihtëson përkushtimin e poetit ndaj tokës mëmë, Shqipërisë.
Në këtë vepër Naimi përdor një shqipe të kulluar dhe, mbi të gjitha, arrit të zbulojë me forcën e talentit poetik vlerat dhe mundësitë e mëdha shprehëse të gjuhës sonë. Ai e ngriti atë në rrafshin e gjuhës së poezisë së vërtetë, që mund të shprehte ndjenja nga më të hollat. Në poemë gjejmë një leksik shumë të pasur baritor e fshatarak, thirrorë e pasthirrma plot efekt, gjejmë prapashtesat përkëdhelëse zvogluese: -zë, -thë, -osh (e), që sjellin aq ngrohtësi:
Vashë bukuroshe e bariut, që vjen me llërë përveshur,
me zemër të dëfryer e me buzëzë të qeshur…
në sythit tënd shoh gazë…,

Për t'u dhënë jetë ideve e ndjenjave të zjarrta, Naimi krijoi një varg të ri në poezinë shqiptare, vargun 16-rrokësh.
Vetëm ky varg i gjerë dhe i qetë mund të jepte atë tabllo madhështore të natyrës shqiptare dhe ndjenjat e përflakura të poetit, ndaj dhe mban emrin e tij, vargu naimjan.
"Bagëti e bujqësia" është poemë liriko-epike, boshtin e së cilës e formon lirizmi, shprehja e mendimeve dhe e ndjenjave që i vlojnënë shpirt poetit. Bota romantike e Naimit përmblidhet në ekzaltimin nga bukuritë e natyrës shqiptaree të jetës baritore e fshatarake, në dashurinë dhe krenarinë për kombin, në optimizmin dhe ngazëllimin për ditën e bardhë të lirisë. Poema mbetet një nga faqet më të bukura të poezisë së Rilindjes, me ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona.

Lulet e Verës (analizë)

Këtë përmbledhje me poezi lirike Naimi e botoi më 1890. Aty ai shfaqet më i plotë si poet. Talenti i tij lirik shpërthen në një rreth të gjerë ndjenjash tepër të holla dhe mendimesh të thella.
Motivet kryesore që trajtoi Naimi në përmbledhjen "Lulet e verës" janë tri: motivi patriotik, motivet filozofike dhe motivi i dashurisë(erotik).
Vjershat e motivit patriotik:
("Shpreh", "Përse", "Gjuha jonë", "Korça", "Tradhëtorët" e ndonjë tjetër) janë lirika që shprehin ndjenjat qytetare të poetit ndaj Atdheut, vlerave të tij dhe fateve të tij.
Një nga përjetimet më të fuqishme të këtij motivi është besimi i palëkundur në të ardhmen e Shqipërisë, ndonëse dita e lirisë ishte ende larg. Por, duke u nisur nga fakti që lëvizja komëtare kishte përparuar, ishin hapur shkolla shqipe, ishin botuar libra e gazeta shqip, ndërgjegjja komëtare ishte forcuar, poeti shpërthen plot ngazëllim:

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vijnë,
shkoi errësira;
lum kush do të rronjë,
ta shohë zonjë! ("Shpreh").

Padurimi i poetit për të parë ditën e bardhë të lirisë është i madh. Kjo shpresë, kjo dritë e mban gjallë poetin, i cili, edhe pse me shëndet tepër të tronditur, ka besim se do ta arrijë:
As hidhe gardhë
Dhe shpejto pakë,
o dit' e bardhë,
dhe jakë, jakë,
se të pres,
nukë vdes ("Përse")

Dy vjersha që lidhen ngushtë nga idetë dhe patosi që i përshkron, janë "Gjuha jonë" dhe "Korça". Në to ai i ka thurrur gjuhës shqipe vargjet më të frymëzuara. Është ndër të parët poetë që i kënoi bukurisë dhe ëmbëlsisë së gjuhës sonë, është ndër të parët që kuptoi vlerat dhe mundësitë e saj të shumta për të shprehur mendimet dhe ndjenjat më të thella njerëzore:
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël! Sa e gjerë!
Sa e lehtë! Sa e lirë!
Sa e bukur! Sa e vlerë! ("Korça")

Naimi shkruan plot entuziazëm për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887 dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të hyjnë me guxim në rrugën e diturisë e të kulturës. Kur ai thotë: "Të marrim diturinë…, tani lipsetë dritë ("Gjuha jonë"), kemi prirjet e tij iluministe dhe konceptin se liria nuk shkëputet nga progresi, nga "qytetërimi". Me një informacion krejt tjetër, plot mllef dhe urrejtje shpërthen ai në vjershën "Tradhëtorët". Ai u vë damkën e turpit atyre që tradhëtojnë kombin dhe bashkatdhetarët, atyre që harrojnë mëmëdheun dhe punojnë për të huajt. Vjersha tingëllon si një mallkim për tradhëtinë, kur poeti shkruan plot zemërim:
Buk' e mëmëdheut i zëntë
Tradhëtorët e pabesë!

Motivi filozofik zë vend të gjerë në "Lulet e verës" dhe mund të themi se Naimi themeloi në letërsinë shqiptare traditën e poezisë së mendimit.
Në lirikat filozofike gjejmë përsiatjet e poetit për botën, për jetën dhe vdekjen, për njeriun, perëndinë, për kohën që shkon pa kthim. Për herë të parë në letërsinë shqiptare trajtohen kaq gjerë koncepte të tilla filozofike, një botë përjetimesh që kanë në qendër njeriun. Me sinqeritet e me gjuhë plot emocione Naimi shpreh ide humane, dashurinë dhe besimin e tij ndaj njeriut. Në disa nga vjershat filozofike si "Jeta", "Zemra" e sidomos "Perëndia", spikat qartë një nga elementet bazë të botkuptimit të Naimit, panteizmi. Shfaqet aty nga ana mistike e këtij botëkuptimi, por nga ana tjetër, edhe mohimi i riteve të tepruara fetare. Ai pohon se perëndia është kudo, e shkrirë, e trupëzuar te çdo send a gjallesë e botës:
Ç'sheh, është zot' i vërtetë,
Ç'dëgjon, është zër' i tija,
Gjithë ç'ka e s'ka në jetë,
Është vetë perëndia ("Perëndia")

Në panteizmin e naimit depërton edhe humanizmi, besimi i madh i poetit te njeriu, që është qënia më e lartë e gjithësisë, sepse tek ai, sipas poetit, personifikohet vetë hyjnia:
Zemr' e njeriut në jetë
Është vend i perëndisë.

Te vjersha "Fyelli" (ashtu si te "Fjalët e qiririt", botuar më 1884) Naimi ngre lart misionin e poetit në shoqëri, idealet pozitive e humane të tij, të poetit që bëhet zëdhënës i shpirtit njerëzor.
Motivi erotik është trajtuar në një cikël të tërë vjershash me titullin e përbashkët "Bukuria". Lirikën e dashurisë e kishin lëvruar edhe bejtexhinjtë, por Naimi e ngriti në një nivel artistik të ri. Shpesh përcolli edhe koncepte etike e filozofike.
Poeti i këndoi bukurisë së vashës, para së cilës mrekullohet edhe në të zbulon një pjesë të bukurisë universale. Ai e koncepton atë si shfaqje të përsosmërisë njerëzore, të harmonisë dhe bukurisë hyjnore. Ndihet në to edhe ndikim i poezisë orientale. Heroi lirik të kujton bilbilin, kurse vajza e dashur trëndafilin, figura konvencionale të asaj poezie. Ndjenja e poetit është platonike, abstrakte, dhe nuk ka atë shfaqje konkrete si në lirikën popullore ose më vonë si në poezinë e Çajupit. Si romantik, Naimi këndoi më shumë vuajtjet që sjell dashuria, sesa gëzimet e saj. Në këto ndjenja, zbulohet një zemër shumë e ndjeshme dhe mbi të gjitha, shumë njerëzore. Dashuria për poetin është gjithmonë një ndjenjë e lartë, fisnike dhe e pastër.
Në ciklin "Bukuria" afrimi me poezinë popullore është mjaft i dukshëm. Poeti mori prej saj mjete artistike e teknika vëzhgimi dhe krijoi vargjet plot spontanitet e bukuri të rrallë:
Bukuroshe, sy mëshqerrë,
shikomë njëherë mua,
trëndafil i kuq me erë
e di, vallë, se sa të dua?
E mora vdekjen në sy,
do të vdes, të vdes për ty.

Me "Lulet e verës" Naimi arriti pjekurinë e plotë si poet lirik Larmia e motiveve, pasuria dhe thellësia e ndjenjave kanë përcaktuar edhe përdorimin e një gjuhe poetike të larmishme e me shprehësi të lartë. Sa optimist e i ngazëllyer është kur shpreh besimin tek e ardhmja, aq i përmbajtur e meditues është kur flet për probleme të qënies, të filozofisë, sa i trishtuar paraqitet kur kujton djalërinë e perënduar, kohën e ikur, dhe të vdekurit, aq i përndezur është në urrejtjen e tij kur mallëkon tradhëtarët. Naimi përdori mjete të shumta stilistike. Epitetet e goditura për gjuhën, anaforat tek vjersha "Fyelli", shpërthimet në formë pasthirrmash "Lum kush të rrojë…", krahasimi i Korçës së Mësonjtores së parë me trimin që sulet në ballë etj., etj, mbeten të pashlyera në kujtesë. Me shumë efekt poeti përdori edhe antitezat, veçanërisht ndërmjet disa fjalëve të caktuara me kuptim të përgjithshëm, por që ai i shënoi me një përmbajtje të qartë e me ngarkesë emocionale (drita-errësira; fatbardhësia, mbarësia, qytetëria, - ndarja, marrëzia) e që përfaqësojnë të parat: lirinë, emancipimin, kurse të dytat: zgjedhën, paditurinë, si plagë të pushtimit. Tërheq gjithashtu vëmendjen pasuria e rimave, e vargjeve e strofave me skemat AB, AB, A, AA, BCCB, ABAB, CC, të përdoruara rrallë ose aspak në poezinë shqiptare.
"Lulet e verës" (me "verë" Naimi quante pranverën) ishin simbol i së resë që po lindte, i lirisë, i asaj shprese dhe force të madhe që lindi poetin e madh dhe poezinë e madhe.

Historia e Skënderbeut (analizë)

Poema epike "Historia e Skënderbeut" u botua më 1898, dy vjet para vdekjes së Naimit. Kjo vepër e fundit që botoi ai, mbeti si testamenti i tij, sepse në të përmblodhi dhe shprehu me patos të fuqishëm idealet për lirinë e Shqipërisë dhe për futjen e saj në rrugën e përparimit.
Vepra doli në një çast historik tepër të mprehtë: Perandoria Osmane po shkonte drejt fundit të saj dhe rreziku i copëtimit të vendit tonë nga shtetet shoviniste ishte shumë i madh. Kërkohej më shumë se kurrë që ndërgjegjja kombëtare të forcohej dhe, veç kësaj, te shqiptarët të krijohej mendësia se ishte e drejta e tyre të jetonin të lirë si komb më vete në trojet e lashta stërgjyshore. Vepra e Naimit bënte thirrje dhe nxiste shqiptarët t'i dilnin zot vendit të tyre në këto kushte, duke kryer me nder detyrën atdhetare.
Breza të tërë patriotësh kishin ëndërruar të kishin një vepër për heroin kombëtar, Skënderbeun. Këtë dëshirë e realizoi Naimi me poemën e vet madhore, e cila lëshoi hapur e me forcë kushtrimin për të rrokur armët, për të shkundur zgjedhën turke e për ta mbrojtur atdheun nga çdo rrezik. Ajo tingëlloi si kushtrim i bashkimit të shqiptarëve rreth flamurit të Skënderbeut.
Si është ndërtuar vepra? "Historia e Skënderbeut" është një poemë epike e përbërë nga 22 këngë. Ngjarjet ndjekin rendin kohor: Fillojnë me dërgimin e djemve të Gjon Kastriotit peng të sulltanit dhe mbarojnë me vdekjen e Skënderbeut dhe pasojat e rënda që ndoqën . Në përgjithësi vepra i përmbahet historisë, ndonëse ka personazhe të krijuara prej poetit.
Në qendër të poemës është figura e Skënderbeut. Këtë figurë Naimi e ka vizatuar në përputhje me idealin e tij romantik, në dritën e idealeve të humanizmit evropian e në frymën e Rilindjes. Pra e idealizon figurën e heroit tonë.
Për Naimin Skënderbeu është personifikim i të gjitha vlerave: i trimërisë, i urtësisë, i bukurisë fizike e morale:

Ishte mbret i bukurisë,
si dielli epte dritë…,
… kish të gjitha mirësitë
dhe të tërë urtësinë,
njerëzin' e dituritë
dhe fuqin' e trimërinë.

Naimi e paraqet Skënderbeun me tiparet e një heroi legjendar, të luftëtarit kreshnik dhe të atdhetarit të flaktë, që mbi gjithçka vë atdheun, edhe mbi interesin e tij.
Në poemë e gjejmë Skënderbeun një udhëheqës me aftësi të rralla, që diti të bashkonte të gjithë shqiptarët rreth idealit të madh të lirisë. Ai është organizator dhe strateg i madh në luftë, po aq sa është edhe luftëtar që bie "si rrufè" mbi armiqtë dhe i shpartallon. Si prijës i urtë popullor ai është simbol i lirisë, i traditave heroike të popullit, i idealeve shoqërore e demokratike që i kishte vetë poeti. Skënderbeu paraqitet me një botë tepër humane. Është i dashur e i thjeshtë me njerëzit, ka një mall përvëlues për atdheun kur jeton larg tij, qan me lot të hidhur kur merr vesh vdekjen e njerëzve të afërt dhe të zezat që e gjetën Shqipërinë. Në çdo çast është njerëzor e fisnik.
Figura e Skënderbeut është e pashkëputur nga epoka e tij. Është e natyrshme që këtë epokë Naimi ta paraqitë të idealizuar, duke ia kundërvënë gjëndjes së Shqipërisë së robëruar e të prapambetur të kohës së vet. Koha e Skënderbeut përmblidhte gjithë "mirësitë" e "begatitë" atëherë mbretëronte urtësia, paqja, kamja, nderi, shpresa.
Paraqitja e idealizuar e së kaluarës kishte një funksion të caktuar. Duke ballafaquar dy epokat, Naimi thekson se pushteti osman e ndërpreu proçesin e zhvillimit e të qytetërimit të Shqipërisë, e hodhi këtë në errësirë. Pra, pushtimi osman duhej shporrur sa më parë dhe epoka e lavdishme e Skënderbeut duhej përtërirë.
Naimi evokon shpirtin heroik e liridashës të shqiptarëve, traditat e tyre të bashkimit, evokon epokën dhe Skënderbeun vetëm e vetëm që
T'i ap dritë Shqipërisë
Nga shpirt' i ndritshëm i tija,

pra, duke na i paraqitur ato si një model të përsosur, ti frymëzonte bashkatdhetarët për ta çliruar e qytetëruar atdheun e tyre si dikur. Si demokrat Naimi e paraqet popullin si një forcë të gjallë që i udhëhequr nga një hero si Skënderbeu, korr fitore dhe tregon heroizëm e patriotizëm të pashoq.
Një ide e rëndësishme e poemës, tepër aktuale në fund të shekullit XIX, ishte ajo se liria fitohet vetëm me anë të luftës së armatosur. Gjithë poema e sintetizon këtë ide, por me një patos të veçantë spikat ajo në fjalët e Kamanit:
Kurrë s'trembet Shqipëria,
nukë vdiq, po është e gjallë
tjetër përgjigjje Turqia
nukë do, përveç me pallë.

Fjala e Kamanit në kuvendin e burrave të mbledhur nga Gjon Kastrioti, është himn për trimërinë dhe lirinë, ajo tingëllonte si thirrje për të rrokur armët:
Trimëria, trimëria
mban lirin' e mëmëdhenë!

Kamani nuk është person historik, por figurë e krijuar nga poeti me shumë dashuri e mjeshtëri. Ai tipizon shqiptarin trim, të vendosur për të mbrojtur lirinë dhe nderin e atdheut, të gatshëm të japë edhe jetën.
Në poemë ka dhe shumë personazhe të tjera, portrete të njerëzve të afërt dhe të bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, si dhe të armiqve osmanë. Këta të fundit, sidomos sulltanët, jepen me tipare krejt të kundërta me ato të Skënderbeut dhe të shqiptarëve.
"Historia e Skënderbeut" u bë një nga veprat më të dashura gjatë Rilindjes, se u përgjigjej aspiratave liridashëse që vlonin në popull. Ajo themeloi në letërsinë tonë traditën e poezisë epike.
Poema ka shumë vlera artistike të qëndrueshme. Ajo të rrëmben me gjerësinë e rrëfimit, me gjallërinë e vizatimit të shumë skenave. Të tilla janë ato të kuvendeve, të veprimtarisë së gjithanshme të Skënderbeut, të betejave, ndonëse, ndonjëherë, bie në përsëritje situatash. Herë-herë gjejmë tabllo me dramacitet të theksuar. E tillë është ajo në këngën e V, që fillon me vargjet:
Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!…

Në poemë hasim herë-herë, portretizime të goditura të personazheve, siç është sidomos ai i Kamanit një pasuri figurash stilistike, si epitete, krahasime, similituda etj.
Gjuha e veprës është afër gjuhës së popullit, me mjete të shumta shprehëse, e pastruar nga fjalët e huaja dhe me mjaft fjalë të krijuara nga vetë poeti. Shprehjet frazeologjike, me mjaft ngarkesë emocionale, gjenden dendur në poemë.
"Historia e Skënderbeut" mbetet një nga veprat më të rëndësishme të Naimit. Me të u mëkuan dhe u rritën breza të tërë atdhetarësh e luftëtarësh.

Added (2010-03-18, 1:25 Am)
---------------------------------------------

Disa Nga Poezit E Naimit

[l]Fjalet e Qiririt

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t'u ap pakëzë dritë,
Natënë t'ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mir' e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s'e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M'është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k'ënda t'u bënj mirë,
Të mos mbeti n'errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn' e shkretë
Për atë zotn' e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin' e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t'i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt' i kam parë,
Mëm' e at' e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer' e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj' e balt' e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul' e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t'u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët' e gjuhësë zjarrtë?

PËRMBAJTJA
Jeta dhe vepra ................................................ 1
Hyrje ............................................................................ 1
Lirika filozofike ................................................................. 2
Idetë Sociale-Etnike Të Naimit .............................................. 4
Pikëpamjet Patriotike dhe Botëkuptimi ....................................... 6
Gruaja Dhe Naimi .............................................................. 7
Analiza E Disa Veprave Më Të Rëndëshishme Të
Naimit .......................................................... 9
Bagëti e Bujqësi ............................................................... 9
Lulet e Verës ................................................................. 11
Historia e Skënderbeut ....................................................... 14
Disa Nga Poezitë e Naimit ................................... 16
Fjalët e Qiririt ..................................................................... 16

Përmbajtja .................................................... 17

Attachments: 0277980.png (361.0 Kb)
 
Forum » Mësime » Gjuha Shqipe - Letërsi e Rilindjes » Naim Frashëri (Jeta dhe Vepra)
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:


Copyright Nusret © 2024
Powered by: Papucja