E Hënë, 2024-11-25, 11:04 AM
Welcome Guest | RSS

"Zef Lush Marku" II-1

[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Letërsia e Pavarësisë
PapucjaDate: e Enjte, 2010-03-11, 1:25 PM | Message # 1
Major
Group: Administrators
Messages: 82
Reputation: 0
Status: Offline
Në vështrimin e shndërrimeve letrare kapërcyelli i shekullit të 20 është një kohë veçanërisht e shënueshme. Më 1900 vdes Naim Frashëri. Po në këtë vit Fishta boton shkrimet e para, kurse vetëm një vit më parë lind Lasgush Poradeci, poeti më i madh modern shqiptar. Pra, me mbarimin e shek. XIX përmbyllet letërsia e Naimit dhe një periudhë e letërsisë shqiptare. Këtu është një prerje ndërmjet letërsisë së Naimit (romantike) dhe letërsisë që nis me brezin e 1900-shit, ku hyjnë Konica, Fishta, Çajupi, Asdreni, Noli e M. Frashëri me një letërsi joromantike. Të parën e karakterizon ideja kombëtare, kurse të dytën ideja shoqërore apo ideja njerëzore. Kjo e dyta është periudha e letërsisë së pavarësisë që do të zotërojë ngadalë katër dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX.

Në vështrimin kulturor-historik e në vështrimin strukturor, letërsia e pavarësisë nis në fund të shekullit të kaluar me Konicën, kur shfaqet një model shkrimi kritik, i ndryshëm nga shkrimi i mëhershëm himnizues, dhe zhvillohet me poezinë e Lasgush Poradecit që kërkon forma të reja, gjuhë të re poetike dhe efektin estetik të letërsisë, që ndërton në thellësinë e vet identitetin e botës shpirtërore shqiptare.

Letërsia e Pavarësisë shqiptare është një periudhë letrare që vjen pas periudhës së Rilindjes që kurorëzohet me letërsinë e Naim Frashërit. Kjo periudhë letrare shkallë-shkallë ngre dallimet me letërsinë pararendëse dhe forcon karakteristikat e veta ideore e strukturore.

Përurues dhe nismëtar i kësaj periudhe është Faik Konica me Albaninë e tij (1897-1909), ku boton autorët e 1900-ës, madje dhe komenton këtë letërsi të re në revistën e tij. Kështu, Konica bëhet edhe teoriku e kritiku i parë dhe i pakontestueshëm i kësaj letërsie. Në një artikull të vitit 1906, "Kohëtore e letrave shqipe", si dhe në interpretimet e veprave të Çajupit, Asdrenit, Nolit e Gurakuqit, Konica vëren se letërsia e re lirohet nga zotërimi i ideologjisë kombëtare të romantizmit. Kjo letërsi artikulon dallimin ndërmjet veprimit atdhetar dhe krijimit letrar estetik. Prandaj Letërsia e Pavarësisë, që në nismë, shqipton kërkesën e krijimit të letërsisë si vlerë më vete, pa marrë parasysh qëllimin. Në anën tjetër, edhe qëllimi fillon të pretendohet që të arrijë nëpërmjet frymës kritike e jo frymës himnizuese, si dhe brendapërbrenda shoqërisë shqiptare dhe shpirtit të kombit.

E shfaqur qoftë si trashëgimi e simbolizmit (Asdreni, Lasgushi), qoftë si realizëm me frymë kritike (Çajupi, Noli) qoftë në trajtë neoklasiciste (Fishta, Mjeda, Haxhiademi) apo në trajta të papara të modernizmit në prozë (Koliqi, Migjeni, Kuteli), Letërsia e Pavarësisë shqiptare, që zotëron gjysmën e parë të shekullit XX ka dy karakteristika themelore:

Krijimin e trajtave e të strukturave të reja letrare
Krijimin e vetëdijes (ndërgjegjes) letrare që letërsia është krijim i veçantë estetik pa marrë parasysh qëllimet. Kjo dëshmohet me veprat letrare dhe me interpretimin e tyre letrar.

 
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:


Copyright Nusret © 2024
Powered by: Papucja