Letërsia klasike greke fillon me dy poemat e mëdha epike, me "Iliadën" dhe "Odisenë" që bota antike mendonte se i ka krijuar Homeri, edhe pse për të nuk dinte pothuaj asgjë. Për shumë qytete greke është thënë se janë vendlindja e poetit. Duke u nisur nga veçoritë gjuhësore të poemave, shkenca ka pranuar si më të mundshëm Smirnën, qytet kolonial grek në Azinë e Vogël (Izmiri i sotëm në Turqi).
Për Homerin mendohet të ketë jetuar aty nga shekuli IX para erës së re. Babai i histografisë greke, Herodoti (shek. V p.e.r.) thotë se Hesiodi ka një mendim tjetër që sjell Homerin në shekullin VIII para erës së re. Në këngën VI të "Iliadës" poeti flet për rrëmbimin e Helenës nga Paridi. Në këngën V ku tregohen bëmat e heroit grek Domerdit, thuhet se ai "rroku një shkëmb të madh hata, dy burra që jetojnë sot prej vendit s'mund ta luajnë". Kjo dhe të tjera tregojnë se Homeri flet për kohë dhe ngjarje të hershme, të kënduara para tij, nga aedë dhe rapsodë, emrat historike të të cilëve kanë humbur në mjegullat e kohëve dhe shpesh janë veshur me petkun e fantazisë dhe të legjendës me këngët e tij magjepse kafshët e egra, ujërat i bënte të ndalonin rrjedhën e tyre dhe popullin ti shkonte pas. Në gurrën e pasur të këngëve të lashta të krijuara në shekuj, njomi buzët e saj muza e poetit, që me "Iliadën" dhe "Odisenë" i ngriti përmendore jo vetëm heroizmit, por edhe bukurisë së artit popullor, që humbi në errësirën e shekujve dhe u ringjall në këto dy poema.
Nuk ka asnjë dyshim se përpara Homerit ka gjalluar një letërsi e pasur gojore, me këngë e himne të ndryshme kushtuar hyjnive, heronjve dhe bëmave të tyre. Për këtë flasin dy poemat e mëdha, vlerat e larta artistike të të cilave dëshmojnë qartë se ato janë jo fillimi, por mbarimi i përkryer i një proçesi të gjatë letrar, Përpunimin përfundimtar të "Iliadës" dhe "Odisesë" në gjendjen që i njohim sot, shumica e studiuesve e çojnë në shekujt VIII-VII. Për Homerin ka mendime të ndryshme si:
I vetmi krijues i dy poemave "Iliada" dhe "Odisea";
Një nga autorët e mundshëm midis shumë të tjerëve që kanë vënë dorë mbi to;
Njeri që nuk ka ekzistuar, por që ky emër ka mbetur simbol i poezisë epike etj. etj.
Të gjitha këto kanë krijuar atë që quhet çështje homerike që nis me shek. III p.e.r. e vazhdon deri në ditët tona.
Homeri i ngjan një mali të lartë, maja e të cilit vazhdon të jetë e mbushur me mjerull. Vendi ku janë krijuar poemat homerike është Joma; gjuha e tyre është dialekti jonian i
përzier me elemente të dialektit eolian dhe më pak të dialekteve të tjerë.
Në "Iliadën" dhe në "Odisenë", përveç shtresimeve gjuhësore ka edhe shtresime kohore,
që fillojnë nga periudha para qytetërimit të Mikenës dhe mbarojnë afërsisht në shekullin IX para erës së re. Kjo i ka shtyrë shumë studiues të mendojnë se në tekstin e poemave janë futur një numër i madh shtojcash nga rapsodë të veçantë, që kanë dashur tu përshtaten shijeve dhe gjendjes shpirtërore të dëgjuesëve të tyre. Ka shumë të ngjarë që rapsoditë ose këngët që kanë pasur në themel të tyre ciklin Trojan të gojëdhënave popullore të përpunuara nga shumë breza rapsodësh, të kenë shërbyer si bazë për hartimin e poemave homerike aty nga shekulli IX. Added (2010-03-11, 1:17 PM)
---------------------------------------------
Veprat
Eskili ka pasur një veprimtari shumë të gjerë letrare. Ka shkruar rreth 90 tragjedi, nga të cilat janë ruajtur të plota: Lutëset, Persët, Të shtatë kundër Tebës dhe Agamemnoni, Koeforet, Eumenidet, që janë pjesë përbërëse të trilogjisë Orestia(5)
Përveç tragjedisë Persët, të gjitha të tjerat i kanë marrë subjektet nga ciklet e miteve dhe legjendave të lashta, përmes të cilave Eskili shprehu shpirtin e kohës, përplaset politike e shoqërore, virtytet dhe krimet, sasionet njerëzore në tërë dritë-hijet e tyre, luftën në rrafshin fizolofik midis obskurantizmin dhe iluminizmit.
Lutëset. Për nga ndërtimi i thjeshtë dhe zotërimi i pjesëve të korit, e para në vargun e tragjedive të ruajtuara, mendohet të jetë tragjedia "Lutëset". Në themel të veprës shtrohen dy probleme: ai i ndalimit të martesës brenda fisit dhe ai i dashurisë si ligj i ripërtëritjes së gjinisë njerëzore.
Sipas renditjes tradicionale tragjedia e dytë është TË SHTATËT KUNDËR TEBËS(6), ku tregohet lufta për pushtet midis dy vëllezërve Eteoklit dhe Polinikut, të cilët kishin rënë në marrëveshje të qeverisnin Tebën me rradhë. Vjen një ditë dhe Eteokli vendos të mos e ndajë pushtetin më të vëllanë. Atëherë, ky u drejtohet gjashtë prijësve miq të tij dhe vetë i shtat shkon t'i bjerë të vëllait, Eteoklit. Të dy vëllezërit vriten në përleshje me njeri-tjetrin.
PERSËT. Është një nga veprat e hershme të Eskilit, e vetmja tragjedi nga ato që njohim, që e ka marrë subjektin jo nga mitologjia, po nga ngjarjet historike në jetën e Greqisë së shekullit V p.e.r.
Fitorja e grekëve kundër persëve është jo vetëm fitorja e një lufte të drejtë, por edhe e demokracisë kundër tiranisë së Lindjes, e qytetërimit të ndritur helen kundër prapambetjes dhe errësirës që mbulonte një perandori përbindëshe e despotike.
ORESTIA. Është e vetmja trilogji që është ruajtur e plotë, e përbërë nga tri tragjedi: "Agamemnoni", "Koeforet" dhe "eumenidet". Subjekti i "Oresias" është mallkimi i fisit si pasojë e krimit të kryer nga të parët. Ideja e autorit se krimi lind krimin përshkon të gjitha ngjarjet e tragjedisë.
Në pjesën e parë, "Agamemnoni", tregohet kthimi i mbretit në atdhe dhe vrasja e tij nga e shoqja Klitemnestra dhe i dashuri i saj Egisti. Është pa dyshim pjesa më e bukur e trilogjisë, e mbushur me atmosferë dramatike e kontraste të fuqishme pas të cilave fshihet hipokrizia e Klitemnestrës, e cila e pret të shoqin me nderime të mëdha.
Në një vend të tragjedisë "Agamemnoni", kori shpreh mendimin se "… drejtësia shpesh ndriçon / dhe në shtëpitë plot me tym./ Ku zemrat kanë pastërti/ Ndërsa pallatet veshur ar,/ Dorë e përlyer që i sundon,/ Ajo kthen sytë e i braktis".
Idetë madhore demokartike e humane të Eskilit shpalosen gjerë në trilogjinë "Orestia" që është një nga gurët më të çmuar në gjerdanin e letërsisë botërore. Gëtja tragjedinë "Agamemenoni" e ka cilësuar "kryeveprën e kryeveprave".
Edhe në tragjedinë e dytë, "koeforet", (gratë që çojnë në varre vajra, verë etj.) spikat thellësia psikologjike e artit eskilian. Oresti vret të ëmën, Klitemnestrën, dhe të dashurin e saj Egistin, për të marrë hakun e të atit.
Por përpara se të ngrejë shpatën t'i bjerë, ai stepet nga fjalët e së ëmës që kërkon mëshirë: Ndalo, o bir, nderoje këtë gji/ Përmbi të cilin gjumi shpesh të zù/ Tek qumështin që ty të rriti, thithje.
Në pjesën e tretë të trilogjisë, në "Eumenidet", rrihet çështja rreth veprës së kryer nga Oresti mëmëvrasës. Në fillim na paraqitet hija e Klitemnestrës që kërkon shpagimin ndaj të birit. Ajo u drejtohet Erineve, hyjneshave të hakmarjes, që mbrojnë ligjet e gjakut nga ana e nënës (matriarkatin). Hija kërkon t'i zgjojë nga gjumi dhe të mos e braktisin, por ta mbrojnë. Në mënyrë metaforike, Orestin e mundon dhe përndjek ndërgjegja e vrarë. Ky është dënimi më i madh për të, që as në ferr nuk do t'i ndahet.
Por Oresti s'mbetet vetë, Ai ka në anën e tij hyun Apollon, që mbron lidhjet e gjakut nga ana e babait, (patriarkatin). Në debatin e flaktë që ndizet midis Apollonit dhe Erineve, për të ndarë çështjen, thirret hyjnesha Atenë, e cila i nderon të dy palët. Ajo e ka të vështirë të vendosë vetë, prandaj fton gjykatësit më të mirë ta drejtojnë gjygjin. Votat ndahen baraz, sa për Orestin aq edhe për Erinet. Atena votën e saj e jep për Orestin. Dhe me këtë Oresti çlirohet nga përndjekja e Erineve.
Trilogjia "Oresita" shquhet jo vetëm për madhështinë e saj si vepër arti, por edhe për pasurinë e ideve dhe problemeve të rrahur në legjendat e saj, përmes të cilave tragjediani i madh u ka bërë jehonë ngajreve dhe problemeve të mprehta poliktike e shoqërore në periudhën e vendosjes së shtetit demokratik skllavopronar.
Eskili me të drejtë është quajtur poeti i së Drejtës, simbol i së cilës në mitologji ishte bija e Zeusit, hyjnesha Dike.
Ai është sa realist në pasqyrimin e jetës, aq dhe romantik në ëndrrën e tij për një jetë të drejtë e të virtytshme.
Eskili është artist i madh. Me figurat e personazheve të fuqishëm e me gjithcka të bukur e të madhërishme që kanë veprat e tij, ai e ngriti tragjedin greke në një lartësi të paparë ndonjëherë. Gjenia e tij ndikoi shumë te Sofokliu e Euripidi. Në veprën e Eskilit gërshetohet në një haromoni të plotë tragjizmi me skena të një lirizmi të hollë poetik.
Stili i Eskilit është i fuqishëm e i pasur me shprehje të bukura, në metafora e figura të tjera të guximshme, në fjalë të urta e aforizma, e sidomos në fjalë të përbërë (kompozita). Shumë nga këto dhe nga mjetet skenike, si hanxhari, qefini, fantazmat, hijet që ngrihen nga varri, profecitë e formulat magjike, po në rradhë të parë forcat dramatike, veprimet dhe pasionet titanike të heronjve na kujtojnë në shumë anë tragjedianin e madh anglez Shekspirin për të cilin Kadareja, vëren se nuk mund të thuhet asgjë e sigurt se si do të ishte ai pa Eskilin.
Added (2010-03-11, 1:17 PM)
---------------------------------------------
Shpjegues
1. Greqia në kohë të lashta ishte ndarë në qyete shtete (polis), dhe secili, syresh bënte një jetë politike dhe ekonomike të pavarur. Të tilla ishin Athina, Sparta, Korinthi e shumë të tjerë. Shpesh ndërmjet tyre kishte grindje për shkaqe ekonomike, që çonin dhe në shpërthimin e luftës, siç ishte p.sh. Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës në shek. V para erës së re.
2. Marathonomak - luftëtar i Marathonës. Kujtoni poezinë e bukur të Fan Nolit "Marathonomaku".
3. Aristorfani - Komediografi më i madh i Greqisë.
4. Midjani; persi.
5. Arsyen se si ndodhi humbja fatale e pjesës dërrmuese të tragjedive antike e ka analizuar gjerësisht I. Kadare në studimin e tij "Esili, ky humbës i madh."
6. Teba, qytet në Greqi. Subjekti tragjedisë është marrë nga cikli teban i legjendave.
Added (2010-03-11, 1:18 PM)
---------------------------------------------
Prometeu i Mbërthyer (analizë)
Tragjedia "Promoteu i mbërthyer" është një nga veprat më madhështore të Eskilit.
Kjo tragjedi është pjesë përbërëse e një trilogjie, dy pjesët e tjera të së cilës Prometeu zjarrsjellës dhe Prometeu i çliruar nuk janë ruajtur.
Sipas mitit, Prometeu krijoi me baltë njeriun e parë, i cili me kohë, u shumëzua, Qe të mos i linte në mjerim dhe padije, shkoi te qerrja e zjarrtë e Diellit (Helios), vodhi një shkëndijë të cilën e vuri në një kallam dhe këtë burim të zjarrit hyjnor ua solli njerëzve, Kjo e bëri Zeusin të tërbohet nga mëria, dhe të urdhërojë Pushtetin, Dhunën dhe Hefestin ta mbërthejnë Prometeun në një shkëmb në malet e Skithisë në Kaukaz. Këtu fillon dhe veprimi i tragjedisë që zhvillohet në atë vis të egër e të shkretë, ku nuk ka shkelur këmbë njeriu.
Dersa Prometeu është duke u ankuar për këtë ndëshikm të padrejtë, dëgjohet frushullima e flatrave të nimfave oqeanide, që vijnë nga larg për ta ngushëlluar së bashku me babanë e tyre, Oqeanin, i cili i shpreh keqardhjen e heroit dhe orvatet ta bindë që të pajtohet me Zeusin. Por Prometeu pranon më mire të vuajë se sa t'i përulet tiranit. Oqeani largohet.
Prometeu i tregon korit të nimfave Oqeanide të mirat që i ka sjellë njerëzimit.
Ndërkaq vjen Ioja(1), viktimë e Zeusit, të cilën gruaja e tij, Hera, e kishte shndërruar në mëshqerrë dhe e kishte detyruar të bridhte nëpër botë pa gjetur kurrë prehje. Prometeu, i cili ishte i pajisur me dhuntinë profetike për të njohur të panjohurën, i paraflet Iojës për vuajtjet e tjera që ajo do të heqë, dhe se si nga fisi i asaj do të lindë një hero shumë i fuqishëm, i cili do të çlirojë Prometeun nga vuajtjet. Këtu krijohet nyja që lidh tragjedinë me pjesën e tretë të trilogjisë Prometeu i çliruar.
Zeusi, i tërbuar nga qëndrimi i paepur i titanit, dërgon Hermesin për ta kërcënuar dhe detyruar t'I zbulojë të ardhmen, por Prometeu hesht. Heshtja e tij shpreh më shumë se çdo fjalë urrejtjen për tiranin. Atëherë Zeusi nuk duron më dhe e gjuan me rrufe Prometeun, i cili groposet bashke me shkëmbin ku ishte mbërthyer, në fund të dheut.
Tragjedia "Prometeu i mbërthyer" është një vepër e mbushur me patosin e luftës për liri, me bukurinë e vetëflijimit:
M'u dhimb gjithçka, veç vetja nuk m'u dhimb.
Konflikti midis Prometeut dhe Zeusit ka një kuptim të thellë filozofik në të gjitha rrafshet e mendimit njerëzor. Eskili përmes tij goditi tragjikisht për vdekje obskurantizmin dhe tiraninë.
Prandaj Prometeun e kanë quajtur "Shënjtin dhe martirin më fisnik në kalendarin filozofik". Figura e heroit që pranon më mirë të vuajë e të durojë dhembjet më të tmerrshme, sa si t'i nështrohet Zeusit dhe ti shërbejë si skllav, është dhënë në tërë madhështinë dhe krenarinë e martirit kryengritës.
Në fjalët e Oqeanideve që i thonë heroit se kur të çlirohesh ti, do të matësh në fuqi me Zeusin, poeti sheh mundesitë njerëzore për të sfiduar qiellin. Eskili e ka zbritur prometeun hyj në tokë, e ka humanizuar për të simbolizuar me të drejtësinë, arsyen njerëzore kundër arbitraritetit dhe pushtetit absolut të hyjnive:
Ta them haptazi: të gjithë ju hyjni
Të qiellit ju urrej…
I thotë heroi Hermesit.
Zjarri prometean simbolizon arsyen, përparimin, dritën që do të ndriçojë mendjen e njeriut dhe që do ta bëjë atë të vetëdijshëm për madhështinë e tij. Në këtë vështrim Prometeu është një filozof iluminist.
Parashikimi i Prometeut se një ditë do të çlirohet nga vargonjtë e Zeusit, qëndron në besimin në forcën emancipuese të përparimit, që e ka burimin nga shkëndia që ai i dha njerëzimit.
Figura e Prometeut, e të parit romantik të madh në letërsinë evropiane, që ëndërron për ditë më të mira, kjo figurë, për fisnikërinë dhe dashurinë e pakufishme që ka për njerëzit, është një nga më madhështoret e më të bukurat në galerinë e artit botëror.
Dinjiteti dhe përmasat vigane të Prometeut shquhen më mirë në sfondin e hyjnive të tjera servile, që i shërbejnë qorrazi Zeusit tiran. Pushtetit dhe Hefestit, që e mbërthejnë në pranga, heroi u thotë se është "… armik i Zeusit/ dhe i gjithë perëndive/ që kërrusin qafën". Personazhe që i binden pa asnjë luhatje, e madje me zell të madh, vullnetit të Zeusit, janë Pushteti, dhuna dhe Hermesi. Në gojën e tyre nuk i vihet asgjë e keqe Zeusit. Poeti, përmes personazheve të tjera hyjni, ka mundur të zbulojë gjendje psikologjike të ndryshme në mardhënie me heroin. Hefesti i bindet urdhërit të Zeusit, por i dhimbset Prometeu ashtu siç i dhimbset edhe Oqeanit, veçse këta nuk arrijnë të kuptojnë se si mund të guxojë ndokush të ngrihet kundër Zeusit.
Ato që ndiejnë një dhembje me të vërtetë të thellë për Prometeun janë nimfat Oqeanide, që janë plotësisht të ndërgjegjshme për karakterin despotik e mizor të Zeusit.
Por edhe Oqeanidet, duke parë vuajtjet e rënda të Prometeut, dhe pse u dhimbset, mundohen ta pajtojnë me Zeusin.
Tragjedia ka një ndërtim të thjeshtë; veprimi në të është i brendshëm, me kontraste që zbulohen gjithnjë e më mirë në tërë mprehtësinë e tyre përmes një debati të ndezur, të pasur në ngjarje e legjenda sa të bukura e poetike, aq edhe tragjike e të dhimbshme për fatin e heronjve-viktima e të përndjekur nga hyjnitë.