E Diel, 2017-08-20, 6:26 PM
Welcome Guest | RSS

"Zef Lush Marku" II-1

[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
Page 1 of 11
Forum » Mësime » Sociologji » KARAKTERISTIKAT E OPINIONIT PUBLIK (Zhvillimi historik i opinionit publik)
KARAKTERISTIKAT E OPINIONIT PUBLIK
PapucjaDate: e Enjte, 2010-03-11, 0:53 AM | Message # 1
Major
Group: Administrators
Messages: 82
Reputation: 0
Status: Offline
Zhvillimi historik i opinionit publik

Opinioni publik është dukuri shoqërore bashkëkohore. Si faktor i rëndësishëm politik opinioni publik është pjesë përbërse e strukturës politike të shoqërisë, i cili është paraqitur krahas zhvillimit historik të shoqërisë njerëzore, e sidomos krahas me lindjen e tregut, të shtetit borgjez, të institucioneve të ndryshme politike dhe demokratike, si dhe të luftës ideore dhe politike ndërmjet klasave, ideologjive dhe partive të ndryshme politike.
Studimet dhe hulumtimet historike tregojnë se, sa më të zhvilluara të jenë institucionet shoqërore dhe politike, aq më të mëdha dhe më të zhvilluara janë edhe format e pjesëmarrjes së qytetarëve në këto institucione. Gjatë historisë, në të gjitha etapat dhe sistemet politike dhe shoqërore, opinioni publik gjithmonë paraqet forcë të rëndësishme ideore, që ndërhyn në rrjedhat politike dhe shoqërore.
Dihet mirëfilli se, rrjedha e luftërave dhe e konflikteve politike, suksesi dhe mosuksesi i politikës shtetërore është vendosur nga qëndrimet e opinionit publik, përkatësisht nga përkrahja ose rezistenca e tij. Asnjë pushtet politik, sa do që të jetë autokrat, nuk mund të mbahet me forcë, dhe asnjë aksion i rëndësishëm politik nuk mund të realizohet me sukses, nëse pjesërisht nuk ka mbështetje në përkrahjen e popullit. Ndërsa, politika paraqet aftësinë e të përfituarit të opinionit, ndërkaq opinioni publik shpreh mendimin, apo bindjen që mund të ketë shoqëria për çështje të ndryshme politike dhe aktuale.
Format e para të pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike dhe shtetërore i gjejmë në Kinën e vjetër. Dy mijë vjet para epokës sonë, në historinë e lashtë të Kinës, kanë ekzistuar ”analizuesit” apo ”këshilltarët” e parë të opinionit publik, të cilët kanë qenë konsulantë të rëndësishëm të despotëve dhe sunduesve të parë.
Këta funksionarë të rëndësishëm publik në organizatat dhe institucionet e para politike kineze, janë quajtur ”sy e veshë njerëz të mbretit” të cilët kanë pasur për detyrë ta informojë mbretin se “çka flitet në popull” dhe të ketë kujdes për mendimin e opinionit publik. ”Ky analizim i opinionit publik ka përfshirë disponimin, intrigat, reagimet dhe përgatitjet sekrete të anëtarëve të ndryshëm të familjes mbretërore, dhe aristokratëve të tjerë që ishin në pushtet. Opinioni publik shpesh - herë është reduktuar në lokalet e pallateve mbretërore dhe të ngjashme.”
[6] Zanafillën e opinionit publik e gjejmë edhe në kuvendet dhe format e pjesëmarrjes masive të qytetarëve në jetën politike e publike në Greqinë antike. Në kohën antike, opinioni publik lidhej drejtpërdrejt me qeverisjen (pushtetin) ekzekutiv të shoqërisë. Grekët e lashtë thonin se demokracia nënkupton të udhëhequrit demokratik të polis-it, komunikimin e drejtpërdrejt ndërmjet njerëzve, ndikimin e drejtpërdrejt të një njeriu në mendimin e tjetrit, si dhe krijimin e një vendimi të përbashkët. Aftësia e të debatuarit (e të diskutuarit) ishte bërë një nga arritjet apo shkathtësitë e mëdha të Grekëve të Lashtë e cila ushtrohej sidomos në shkolla, sikurse retorika dhe logjika.
Në demokracinë e polisit grek, njerëzit në mënyrë të drejtpërdrejt i shprehnin mendimet e veta, dhe gjatë debatit publik me shumicë votash merrnin vendimin i cili i obligonte të gjitha palët. Këte përvojë demokratike të polis-it grek e praktikonte edhe forumi romak. Ajo mbështetej në fjalën ose në mendimin e shprehur, me ç’rast secili gëzon të drejtën e pjesëmarrjes së barabartë (të drejtën e këtillë grekët e quanin “izokraci” - qeverisje e të barabartëve).
Mund të thuhet se, opinioni publik edhe sot paraqet një fenomen shoqëror i cili bazohet në konzervimin e ndërsjellë të mendimit ndërnjerëzor përmes të shprehurit të zëshëm apo të pazëshëm, dhe i cili formohet në bazë të mendimit të shumicës së pjesëtarëve të një bashkësie apo të një kolektiviteti shoqëror. Në epokën e mesjetës, madje edhe më herët, opinioni publik paraqitet si ndihmesë apo përkrahje e parlamentit dhe e pushtetit politik. Më vonë, përcaktohet si burim i autoritetit të politikës e cila përfshihet në opinion (që karakterizohet me urtësinë dhe fisnikërinë) e atyre të cilët sundojnë.
Prej asaj kohe e gjer më sot, ndryshon koncepti i opinionit publik si dhe qëndrimi i politikës ndaj opinionit publik. Qëndrimi i politikës ndaj opinionit publik në të shumtën e rasteve është shfrytëzuar dhe keqpërdorë, është analizuar dhe dirigjuar; përkatësisht është respektuar dhe falsifikuar. Historiku i opinionit publik gjer më sot nuk është i njëjtë në të gjitha vendet, nuk e ka atë influencë, e as që ka marrë në çdo vend të njëjtin status. Sikurse të gjitha institucionet tjera politike, ashtu edhe opinioni publik nuk zhvillohet pa pengesa, vështërsi e pasoja, pa reagime e konflikte, si në praktikë ashtu edhe në qëndrimet dhe aksionet mendore të individëve, shtresave dhe grupeve të ndryshme shoqërore.
”Historia politike e opinionit publik është e mbushur me përparim dhe me kthim mbrapa, me përtëritjen e rolit të opinionit publik dhe me mospërfilljen, zgjimin dhe paralizimin e tij. Si fenomen politik, i mbushur me një varg kontradiktash dhe paqartësish, opinioni publik, në kushte të caktuara politike e shoqërore, paraqet një nga dukuritë komplekse të shoqërisë dhe të qytetërimit bashkëkohor.”
[7] Në shoqërinë bashkëkohore, sidomos që nga shekulli XVIII të e gjer në ditët e sotme, opinioni publik inkuadrohet gjithnjë e më shumë në mendimin njerëzor dhe fiton shprehje legjitime. Opinioni publik në shoqërinë bashkëkohore demokratike paraqet faktor të rëndësishëm dhe ndërmjetësues në mes të pushtetit dhe rolit të qytetarëve në zgjedhje. Prandaj, politikologu i njohur amerikan Valter Lipman në veprën e tij “Filozofia publike” thotë se: opinioni ka për qëllim të ndikojë në mënyrë permanente, d.m.th. në periudhën në mes të zgjedhjeve të përgjithshme, që qeveria të jetë vigjilente dhe të mbetet përgjegjëse, që vetë të kufizohet dhe të mos zhytet në arbitrarizëm as në izolim politik. Sipas botëkuptimit të Lipmanit, opinioni publik gjer - diku është faktor plotësues, i cili nuk inkuadrohet në strukturën politike, nuk e ndryshon bazën e saj përfaqësuese as pozitën e qeverisë si fuqi e pavarur dhe nxitëse.
Me qeveri ai nënkupton para se gjithash, forumin përfaqësues dhe organet ekzekutive, siç janë në SHBA: Kongresi, Presidenti dhe Gjyqi Suprem. ”Opinioni publik e zgjëron sferën dhe ndikimin e vet, dhe si i tillë paraqet formën e vetme të jetës politike. Jeta politike kryesisht përputhet me aksionet politike në sistemin e pushtetit dhe me opinionin publik, të cilin e shprehin shtypi dhe mjetet tjera të komunikimit masiv.”
[8] Në shoqërinë demokratike të zhvilluar dhe stabile, jeta politike është më e gjërë se koncepti i saj teorik. Jashtë pushtetit dhe opinionit publik ekzistojnë shumë forma dhe mënyra të shprehjes së interesave dhe nevojave politike të shoqërisë. Ato përfshijnë jo vetëm jetën politike të pavarur të partisë dhe të shoqatave të qytetarëve, por edhe një varg aksionesh politike ad - hoc dhe qendrash të rëndësishme dhe lëvizjesh aksionale. Ky koncept historik i cili i përgjigjet demokracisë politike të Perëndimit, ka ndikuar në karakterin e kufizuar të konceptit të sistemit politik dhe të opinionit publik, jo vetëm në teorinë tradicionale politike, por edhe në atë moderne gjer në ditët tona. Identifikimi i opinionit publik dhe jetës politike është element ideor i demokracisë përfaqësuese dhe të kufizuar. Në aspektin teorik, demokracia nënkupton identifikimin e pushtetit dhe të jetës politike, asimilimin e pushtetit dhe të politikës në një praktikë të vetëdijshme të qeverisjes shoqërore dhe të krijimit të ideve, interesave dhe vlerave të reja nga ana e qytetarëve.
Sendërtimi i demokracisë është proces i pandashëm dhe i rëndësishëm i jetës politike, ndërsa zhvillimi dhe zgjërimi i jetës politike është një ndër kushtet kryesore të realizimit të demokracisë, të të drejtave dhe lirive të qytetarit, të lirisë dhe të barazisë njerëzore. Teoria politike demokratike dhe shkenca për sistemin politik jetën politike e spjegojnë si kategori specifike dhe autonome dhe si pjesë përbërëse të strukturës politike të shoqërisë. Vetë koncepti i demokracisë e humbë autonominë dhe origjinalitetin e vet në qoftë se jetën politike nuk e spjegon si substrat të gjallë, aktiv dhe determinues të kësaj forme të demokracisë. ”Etatizmi dhe koncepcioni reprezentativ i pushtetit me metodat e veta, një kohë të gjatë e kanë penguar konstituimin e shkencës politike, rëndësinë jo vetëm të jetës politike, por edhe të vetë opinionit publik.”
[9] Jeta politike në Kosovë, ka kaluar dhe po kalon, nëpër të njëjtat faza sikurse edhe në vendet tjera. Jeta politike në Kosovë përbëhet prej manifestimeve të shumta politike, ajo shprehet në zgjedhje dhe shërben si përkrahje e organizuar për aksione të ndryshme politike me rëndësi për ndërtimin e vendit, për angazhim kolektiv rreth aksioneve të mëdha ekonomike, kulturore dhe politike, si dhe mbrojtjen e pavarësisë kombëtare dhe të pushtetit të ri shtetëror.
Në këte drejtim, opinioni publik ka rol të rëndësishëm dhe frymëzues në zhvillimin e jetës politike. Në të kaluarën, unitetin e jetës politike dhe të opinionit publik e siguronte politika zyrtare me anë të mjeteve përkatëse agjituese - propagandistike të partisë. Kjo ndasi e jetës politike dhe opinionit publik nga ana e politikës zyrtare, kanë mbetur në substancë edhe sot e kësaj dite. Kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet sa duhet as jeta politike, as opinioni publik, e sidomos të mos ndryshojnë paralelisht edhe format e sistemit (pushtetit) politik. Zhvillimi i pamjaftueshëm i jetës politike dhe i opinionit publik, një kohë të gjatë, ka qenë shprehje e pushtetit politik, kështu që edhe shprehja e tyre relativisht e lirë ka hasur në kufizime burokratike dhe në kontroll nga ana e qendrave, të cilat i kanë pasur në dispozicion mjetet materiale të bashkësisë dhe caktimin e politikës dhe të ideologjisë.
Dobësimi relativ i rolit dhe i ndikimit të këtyre qendrave, nuk ka sjellë ndryshime esenciale në rolin dhe karakterin e jetës politike dhe të opinionit publik, e as në raportet e tyre reciproke. Jeta politike zgjërohet me zhvillimin e demokracisë dhe me aktivitetin politik të qytetarit si bartës të aksioneve themelore politike dhe të marrjes së vendimeve politike. Një kohë të gjatë, qytetari ka qenë jashtë marrjes së vendimeve politike. Këte proces edhe sot e vështirësojnë presioni dhe ndikimi i pushtetit, qoftë në mënyrë publike apo në ndonjë mënyrë tjetër.
Egoizmi i njerëzve, mungesa e solidarësisë në shoqëri, tërheqja e grupeve të ndryshme të intelegjencies, kanë ndikuar që njerëzit të jenë indiferent për çështjet publike dhe të kenë qëndrim negativ ndaj interesave të përgjithshme shoqërore, të cilat u duken të huaja, kurse ndaj politikës të kenë qëndrim dhe disponim destruktiv. Opinioni publik nuk paraqitet si fuqi unike politike, nga se format e manifestimit të tij janë mjaft kontradiktore.

[1]Dr. Gjergj Rrapi: Sociologjia, Instituti i Filozofi - Sociologjisë, Prishtinë, 1997, faqe 311.
[2]Jirgen Habermas: Javno mnenje, Kultura, Beograd, 1972, faqe 116.
[3]Dr. Rudi Supek: Ispitivanje javnog mnenja, Sveučilište u Zagrebu, Zagreb, 1987, faqe 10.
[4]Karl Ë. Dojç: Analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare (Kaptina mbi rolin e opinionit publik), Libri Universitar, Tiranë, 1998, faqe 196.
[5] Dr. Karl Grimberg, Historia botërore dhe qytetërimi, Shtëpia Botuese “UEGEN”, Tiranë, 2003, faqe 575.
[6]Ëalter Lipman, The Public Opinion, Macmillan, Neë York, 1972, faqe 147.
[7]Dr. Ylli Pango, Psikologjia sociale, Biblioteka Universitare, Tiranë, 2000, faqe 194.
[8]Dr. Edmond Dragoti, Psikologjia sociale, Libri Universitar, Tiranë, 1999, faqe 357.
[9]Gjovani Sartori, Edhe një herë për teorinë e demokracisë, I - II, botoi “Dituria”, Tiranë, 1993, faqe 175.

Message edited by Papucja - e Enjte, 2010-03-11, 0:56 AM
 
Forum » Mësime » Sociologji » KARAKTERISTIKAT E OPINIONIT PUBLIK (Zhvillimi historik i opinionit publik)
Page 1 of 11
Search:


Copyright Nusret © 2017
Powered by: Papucja