POLITIKA,PUSHTETI,SHTETI - Forum
E Diel, 2016-12-04, 9:10 AM
Welcome Guest | RSS

"Zef Lush Marku" II-1

[ New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
Page 1 of 11
Forum » Mësime » Sociologji » POLITIKA,PUSHTETI,SHTETI (KARAKTERISTIKATE SHTETIT)
POLITIKA,PUSHTETI,SHTETI
PapucjaDate: e Enjte, 2010-03-11, 1:58 AM | Message # 1
Major
Group: Administrators
Messages: 82
Reputation: 0
Status: Offline
SHTETI

Koncepti "shteti" (ang. state, fr. état, gjer. staat) ka kuptimin e një dukurie historike, ideje filozofike, forme të vazhdueshme dhe të organizuar të udhëheqjes së njerëzve ose konkretisht të fenomeni bashkëkohor. Shteti është një dukuri shoqërore që luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore; është një institucion i rëndësishëm shoqëroro politik dhe paraqet një problem të trajtuar gjerësisht jo vetëm në fushën e sociologjisë, por edhe në shkencat tjera, si ato juridike, politike etj.[1] Shteti është koncept aq me peshë në sociologji sa që një sociolog freng thotë se një disiplinë e tërë sociologjike merret me këtë tematikë. Bëhet fjalë për sociologjinë politike, të cilën ai e quan statologie (shkencë mbi shtetin).[2]

Shteti paraqet organizatën më të madhe në shoqëritë bashkëkohore që i koordinon marrëdhëniet mes njerëzve; thuajse me të gjitha gjërat, që nga lindja e deri në vdekje të njerëzve merret shteti. Gjithë këtë veprimtari e kryen përmes qeverisë dhe administratës.[3] Shteti është një institucion i vetëm shoqëror që përmes mekanizmave të ndryshme e siguron rendin dhe paqën. Këtë funksion e kryen përmes "të drejtës legjitime për shfrytëzimin e forcës fizike" (Max Weber).[4] Mund të thuhet se shteti është institucioni i vetëm që e ka monopolin e përdorimit të dhunës.

Duhet theksuar se fjala shtet është e relativisht e re, është zhvilluar në mënyrë graduale në term të përgjithshëm për trupin politik mes shekullit XIV dhe fundit të shekullit XVII.[5] Historiani freng Ue Feler pohon se ky nocion është lindur në shekullin XV dhe paraqet zbulim italian. Për herë të parë këtë term e ka përdorur politikani, teoriku i shquar italian N. Machiavelli, i cili kreun e parë të veprës së vet të njohur Princi e fillon me këto fjalë: "Tutti di stati..." ("Të gjitha shtetet..."). Zhvillimit të këtij nocioni shumë i kanë kontribuar edhe Lock, Montesqieu, Rousseau e të tjerë.[6] Termi në fjalëi qysh në shtetin romak e ka pasur domethënien rex publica (çështje e popullit, çështje publike)

Sipas Magerit rrënja e këtij termi gjendet te fjala status që është përdorur për shënimin e gjendjes, fuqisë, pozitës, të ardhurave dhe fisnikërisë së princit (status regalis) dhe për llojin ose përbërjen e politikës.

Rreth konceptit shteti janë dhënë përkufizime të shumta të cilat shpeshherë janë diametrale nga njëri-tjetri. Le t'i përmendim disa syresh. Sipas Aristotelit shteti është një mendim i përgjithshëm i shfaqur në trajtën e ndarjes së detyrave dhe bashkimit të mundit. Saint Simoni pohon se shteti është institucion i veçantë që i shërben shoqërisë. Lenini pohon se shteti paraqet aparat force i klasës sunduese që shërben për ta mbajtur të nënshtruar klasën e shtypur.[7] Për Lester F. Ward-in shteti paraqet interaksion të fuqive të papajtueshme.[8]



Origjina e shtetit dhe teoritë mbi të

Gjetja e rrënjëve të institucionevce shoqërore është një punë shumë e rëndë. Por njeriu s'heq dorë nga kërkimi i gjenezës së gjërave dhe kështu shfaqen teza, teori të ndryshme lidhur me fenomenet e ndryshme.

Sipas disa sociologëve, si edhe institucionet tjera, shteti ka lindur nga një organizim i thjeshtë dhe duke kaluar nëpër disa faza ka arritur një nivel të lartë të zhvillimit. Sipas të dhënave të antroplogjisë politike fenomeni i shtetit është paraqitur diku 3000 p.e.r. në Mesopotami.[9] Por teorikët bashkëkohorë, si Morgani, pohojnë se ky institucion në fakt ka lindur në periudhën e qytetërimit.

Sociologu dhe politologu anglez Walter Bagehot në veprën e tij Fizika dhe politika pohon se pushteti korrespondon me tre periudha: a) Periudha e dokeve dhe zakoneve - në të cilën s'ekziton fare qeverisja ose pushteti. b) Periudha e luftës mes grupeve, kur njëri grup ka arritur ta nënshtrojë tjetrin - faza e paraqitjes së bërthamës së shtetit. c) Periudha e polemikës, kur si rezultat i përplasjeve dhe kompromisit lind shteti dhe paraqet formën më të lartë të zhvillimit politik.

H. Spenceri në veprën e tij Parimet e sociologjisë poashtu shtron nëj tezë të zhvillimit të historisë njerëzore, duke filluar me periudhën fisnore, kur grupet nuk kanë qenë të organizuara, kur kanë jetuar në formë të kopeve dhe kur s'ka ekzistuar kurrfarë pushteti. Si periudhë të dytë ai e cek atë ushtarake, kur bëhet nënshtrimi i një pjese të shoqërisë, kur i hapet rruga organizmit shtetëror si pasojë e tubimit të njerëzve rreth liderëve të fortë ose mbretërve. Si periudhë e tretë sipas tij është ajo industriale, kur veprimtaria ekonomike ia zë vendin asaj militare. Sipas këtyre dy mendimtarëve shteti ka kaluar nëpër një periudhë të evolucionit dhe në fazën e fundit do të pasojë jetësimi i paqës dhe harmonisë.[10]

Sipas teorisë marksiste dhe materializmit historik në periudhën kaluese prej bashkësisë së parë njerëzore joklasore në formacionin e parë klasor janë paraqitur ato kushte ekonomike në të cilat për herë të parë shfaqet shteti. Sipas kësaj teze kushti kryesor shoqëroro-ekonomik që ka shpënë deri te lindja e shtetit është prona private dhe grumbullimi i pasurisë, gjëra këto që e kanë ndarë shoqërinë në klasa shfrytëzuese dhe të shfrytëzuara. Engelsi në bazë të hulumtimeve të veta lidhur me shfaqjen e shteteve evropiane si ai athinian, romak, gjerman etj., ka ardhur në përfundim se shteti është rezultat i ndarjes së shoqërisë joklasore në klasa të kundërta.[11] Sipas kësaj teorie shteti është një dukuri kalimtare, që është i gjykuar me atrofim në shoqërinë komuniste, kur do të zhduken klasat.[12]

Ndër teoritë që e shqyrtojnë problemin e shtetit është edhe ajo e kontratës shoqërore, elementet e së cilës i hasim qysh te sofistët në botën antike greke. Kjo teori është zgjeruar, përhapur dhe është bërë diominante mes shekujve XVII-XVIII. Apologjet i kësaj teorie është Thomas Hobbes-i, i cili teorinë e vet mbi shtetin e ka elaboruar në veprën e tij të titulluar Leviathan. Sipas tij, zanafillës së shtetit i paraprin periudha e gjendjes natyrore, kur të gjithë njerëzit kanë qenë të barabartë. Ai thotë se shtetin e krijojnë njerëzit, të cilët ia bartin atij një pjesë të të drejtave të tyre natyrore ose të gjitha ato me qëllim që të shpëtojnë prej sundimit të pasioneve, luftës, frikës, skamjes, vetmisë, barbarisë, mosdijes, egërsisë dhe të jetojnë në perandorinë e qetësisë, sigurisë, pasurisë, dijes, vullnetit të mirë etj. Këtë teori e ka zhvilluar edhe J. J. Rousseau. Sipas tij shoqëria njerëzore është zhvilluar në vijën: gjendja natyrore (ku mbisundon barazia), gjendja e qytetërisë (në saje të zhvillimti të punës shfaqet mosbarazia) dhe gjendja shoqërore në të cilën njerëzit bëjnë marrëveshje shoqërore me vullnetin e tyre me qëllim të rregullimit të marrëdhënieve të veta në kushtet e pabarazisë. Koncepti themelor i Rousseau-së lidhur me shtetin është kontrata sociale (shih veprën e tij Mbi kontratën shoqërore). Në shtetin e përfytyruar nga ky dijetar sundon vullneti i përgjithshëm i shumicës.[13]

Teoria patriarkale si një ndër më të vjetrat, është përpjekur që origjinën e shtetit ta interpretojë me faktorë shoqërorë. Ajo niset nga pikëpmaja se shteti është vetëm formë e zhvillimit të familjes dhe qeverisja me shtetin është dorë e zgjatur e qeverisjes së familjes në bashkësi të gjerë. Pra sipas kësaj teorie, mbrojtës më i përbetuar i së cilës është Henry Sumner Maine, i cili pas hulumtimit të shoqërisë antike, u shpreh se shteti ka lindur nga familja, në veçanti nga ajo patriarkale, nga zhvillimi i privilegjeve të kryeparit të familjes.[14] Sipas kësaj teorie shteti është vetëm një familje e zhvilluar në krye të së cilë gjendet sunduesi-sovrani.

Përfaqësuesit e biologjizmit në sociologji shtetin e interpretojnë si qenie e veçantë, si qenie e gjallë, si një superorganizëm. Ata ekzistimin dhe funksionet e shtetit i krahasojnë me qeniet e gjalla. Meqë organet në organizëm veprojnë në mënyrë organike, edhe në shtet duhet të sundojë një harmoni e grupeve të ndryshme shoqërore.

Teoria idealiste, përfaqësues më i denjë i së cilës është Hegeli, shtetin e konsideron si personifikim të arsyes së përgjithshme. Sipas Hegelit, shteti është shkalla më e lartë e zhvillimit të idesë absolute, "ecje e Perëndisë në sipërfaqen e tokës",[15] kurse monarkia prusiane formë më e lartë e qeverisjes.[16] Kjo teori, shfaqjen dhe esencën e shtetit e interpreton duke i përshkruar origjinë hyjnore.

Teoria e fuqisë, shtetin e interpreton vetëm me kushtin politik, me përdorimin e fuqisë, origjinën e tij nuk e shpjegon me faktorë të brendshëm por me faktorë të jashtëm. Përfaqësuesit e kësaj teorie janë Ibën Halduni, Machiavelli, Dühring, Kunov, Kaucki, Gumplowitz dhe Oppenheimer. Sipas kësaj teorie "shteti ka lindur mbi bazën e pushtimit të territoreve të ndryshme dhe nënshtrimit të popujve që e kanë humbur atë luftë.[17]

Tipologjia, elementet kryesore dhe funksionet e shtetit

Secila periudhë e historisë së njerëzimit i ka pasur format e veta të shtetit. Në periudhën feudale e kemi pasur shtetin ku si qeverisës me shtetin paraqiten feudalët të cilët kanë zotëruar toka të mëdha. Edhepse shteti ka ekzistuar që nga etapat e hershme të shoqërisë njerëzore, trajtësimi i tij konkret është bërë me lindjen e konceptit për shtetin nacional, erë kjo që ka filluar të ndjehet që nga shekulli XVI. Si faktorë kryesorë që kanë ndikuar në lindjen e shtetit modern mund të përmenden reformacioni, zbulimet kontinentale, revolucioni tregtar dhe industrial, Revolucioni Amerikan dhe Francez, luftërat e Napoleonit etj.[18] Në periudhët e mëvonshme kanë lindur shteti kapitalist dhe ai socialist me rregullimet shoqërore përkatëse.

Teoria konfliktuoze e mbështetur në ideologjinë komuniste jep një tipologji aksiologjike ku si kulm i tipeve shtetërore na paraqitet shteti socilaist respektivisht ai komunist. Në këtë tipologji ku si bazë merret ndërrimi i klasave sunduese ose karakteri i strukturës ekonomike të sistemit klasor e hasim shtetin skllavopronar, feudal, atë borgjez dhe atë socialist (komunist). Kjo teori tre tipat e parë të shteteve i konsideron për eksploatues, kurse këtë të fundit (proletar, socialist) për joeksploatues.[19]

Shkencëtarët shtetet i kanë klasifikuar edhe sipas shumë kritereve tjera. Sipas formës së qeverisjes i kanë ndarë në:

a) monarki, dhe

b) republika

Sipas regjimit politik në:

a) demokraci përfaqësuese

b) demokraci e drejtpërdrejtë

c) oligarki, dhe

d) autokraci.

Sipas organizmit të pushtetit në:

a) shtete centraliste

b) shtet decentraliste

Kurse sipas formës së sistemit shtetet i kanë ndarë në:

a) shtete unitare,

b) shtete federative, dhe

c) shtete konfederative.

Elementet kryesore të shtetit janë territori, popullsia dhe sovraniteti. S'mund të llogaritet për shtet asnjë organizëm që s'e ka njërin prej këtyre elemeneteve. Sikur që s'mund të ketë shtet pa hapësirë të caktuar gjeografike, poashtu s'mund të quhet shtet as ai që nuk është i përbërë nga një numër relativisht i madh i njerëzve. Paraqitjet e personave të cilët bëhen temë e lajmeve interesante të mediave me shpalljen e vetevetes për shtete paraqesin sarkazëm postmodern. S'mund të cilësohen si shtete as vendet që shpallin pavarësi pa pasur sovranitet, pra pa mbizotërim të mirëfilltë me organet shtetërore, me hapësirën gjegjëse. Një grup mendimtarësh pretendojnë se si kusht i katërt për të qenë një shtet me të vërtetë shtet është pranimi ndërkombëtar.

Si dje ashtu edhe sot, detyra kryesore e shtetit është mbrojtja e rendit shoqëror. Në vendet ku ekzistojnë lëkundjet sociale dhe anarkia përpjekje kryesore e shtetit është përpjekja për implementimin e paqës, rendit dhe stabilitetit. Për të realizuar nëj gjë të tillë duhet përdorur frocën, e drejtë kjo ekzskluzive legjitime e shtetit. Në vendet stabile shteti është mjet i kontrollit shoqëror.

Një funksion tjetër i shtetit është pengimi i monopoleve private, sigurimi i hapësirës për një konkurrencë të lirë[20] dhe të shëndoshë në bazë të parimit të ndërmarrjes ose iniciativës së lirë. Funksion i cilësisë me peshë të madhe është edhe organizmi i procesit edukativo-arsimor. Edhepse në këtë drejtim penjtë kryesorë është duke i mbajtur në duart e veta shteti, dita ditës shkohet kah decentralizimi i arsimit dhe forcimi i institucioneve arsimore private. Madje, në shumë vende anekënd botës prestizh më të madh kanë institucionet arsimore private.

Përfundim

Shteti është fenomen universal që thuajse është i ngjitur për shoqërinë. Ky fenomen të cilin disa e quajnë "servis të elitës sunduese" (Vuçetiq) e disa të tjerë "e keqe e domosdoshme" (Novicow, Sumner) para së gjithash është një institucion ose organizatë politike, përfaqësues zyrtar i shoqërisë që i rregullon dhe i kryen punët e caktuara sociale. Ky insitucion në të kaluarën ka qenë kreaturë e oligarkive shoqërore ose e individëve. Me formimin e shoqërive qytetare është forcuar prirja që shteti t'u përkasë të gjithë njerëzve që jetojnë në kuadër të një shoqërie. Është forcuar ndjenja për barazinë mes njerëzve dhe kështu në skenë ka dalë shteti liberal-demokratik, të cilin Fukuyama e quan kulm të evolucionit të historisë njerëzore në aspekt të rregullimit shoqëror.[21]

Shteti po vazhdon të jetojë edhe përkundër pretendimeve të marksizmit - i cili në teori ishte antietatist, kurse në praktikë u tregua si ultraetatist - madje sot e këtë ditë po vazhdon procesi i formimit të shteteve të reja. Në kohën tonë në botë po përhapet tendeca e liberalizmit radikal sipas së cilës zona e aktivitetit të shtetit duhet të zvogëlohet në minimum.

Shteti rolin e vet më së miri do ta kryente nëse sa më pak të paraqitej në fytyrën e përbindëshit hobbesian e më tepër si garantues i të drejtave individuale dhe kolektive të qytetarëve, si pasqyrues i vullnetit të popullit.

 
Forum » Mësime » Sociologji » POLITIKA,PUSHTETI,SHTETI (KARAKTERISTIKATE SHTETIT)
Page 1 of 11
Search:


Copyright Nusret © 2016
Powered by: Papucja