Faktorët e rrezikut janë karakteristika apo veti të një individi
apo popullate prezente gjatë jetës, që shoqërohet me një rrezik të
lartë për shfaqjen e sëmundjes në të ardhmen”.
Faktorët e rrezikut të sëmundjes aterosklerotike përfshijnë
duhanpirjen, vlerat e larta të kolesterolit në gjak, hipertesionin
arterial, diabetin e sheqerit, obezitetin, jetën sedentare dhe dietën e
papërshtatshme. Faktorët dietetikë përfshijnë përdorimin e pakët të
frutave dhe perimeve, përdorimin e alkoolit në sasi të tjera nga ato të
rekomanduara.
Këta faktorë janë zakonisht të modifikueshëm. Faktorë që nuk mund të
modifikohen përfshijnë histori familjare për aterosklerozë të hershme
(para moshës 50 – 55 vjeç tek meshkujt dhe para menopauzës tek femrat),
mosha e avancuar dhe seksi mashkull.
Burrat kanë një rrezik më të madh se gratë megjithëse gratë me
sëmundje të arterieve koronare kanë vdekshmëri më të lartë se burrat e
sëmurë.
Sëmundja iskemike e zemrës
Sëmundja iskemike e zemrës mbetet sot një nga sfidat kryesore të
mjekësisë kardiovaskulare. Megjithë masat e marra për parandalimin e
sëmundjes si dhe arritjet më të fundit në trajtimin e saj, sëmundja
ishemike e zemrës është shkaku kryesor i sëmundshmërise dhe vdekshmërisë
në botën moderne.
Për këtë arsye, njohja e saj dhe e mënyrave të trajtimit, është e një
rëndësie thelbësore. Në mënyrë që zemra të kryejë normalisht funksionin
"pompë”, nevojitet që miokardi, muskuli i zemrës, të furnizohet si
duhet me gjak të pasur me oksigjen. Kjo realizohet nga dy arteriet
koronare, të cilat marrin origjinën nga aorta, menjëherë sapo ajo del
nga zemra dhe e rrethojnë atë nga jashtë.
Ekziston një ekuilibër dinamik i oksigjenit që varion në varësi të
gjëndjes së organizmit dhe sasisë së ofruar nga arteriet koronare.
Prishja e ekuilibrit "kërkesë – ofertë” shkakton vuajtjen e miokardit e
si pasojë mos funksionimin normal të "pompës kardiake”. Prishja e këtij
ekuilibri ndodh për dy arsye: ose nga rritja e kërkesës në gjëndje të
tilla si rrahje të shpejta të zemrës, anemi, temperaturë e lartë,
sëmundje të gjëndrës tiroide etj, ose nga ulja e ofertës që ndodh më
shpesh nga ateroskleroza e arterieve koronare.
Ateroskleroza
Ateroskleroza është një proces patologjik që prek arteriet e zemrës,
trurit, veshkave ekstermiteteve dhe organeve të tjerë vitale. Ajo
karakterizohet nga trashja dhe fortësimi i mureve të enëve të gjakut nga
brenda si rrjedhojë e përqëndrimit dhe depozitimit të kolesterolit,
kalciumit dhe elementeve qelizor të inflamacionit. Ky material njihet si
"pllaka aterosklerotike”.
Pllakat aterosklerotike rriten gradualisht dhe fillojnë të zvogëlojnë
hapësirën e brendshme të enëve të gjakut, duke pakësuar sasinë e gjakut
që kalon nëpër to. Për një kohë të gjatë procesi i aterosklerozës
zhvillohet në mënyrë të heshtur. Kur ngushtimet e arterieve koronare
bëhen aq kritike sa fluksi i gjakut që kalon nëpër to është i
pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e miokardit atëherë shfaqen
shenjat e para të sëmundjes.
Fillimisht ankesat shfaqen vetëm mbas një niveli të caktuar sforcimi
fizik apo pas një stresi emocional dhe mungojnë në qetësi. Me përparimin
e sëmundjes nivelin i shpërthimit të ankesave ulet në mënyrë progresive
madje ato mund të fillojnë edhe në qetësi.
Në disa raste megjithëse pllakat aterosklerotike nuk krijojnë
ngushtime kritike, ato mund të cahen duke vënë në kontakt të
drejtpërdrejtë përbërjen e saj me rrymën e gjakut. Gjaku qarkullon në
gjëndje të lëngët vetëm nëse ruhet i plotë integriteti i arteries nëpër
të cilën rrjedh. Kontakti i tij me përbërjen e pllakës aterosklerotke të
carë shpërthen procesin e formimit të trombit në këtë nivel i cili
mbyll plotësisht arterien dhe sjell ndalimin e menjëhershëm të fluksit
të gjakut. Kjo gjëndje është kriza e zemrës ose "Infarkti i Miokardit”.
Faktori i rrezikut
Duhanpirja: Faktori i rrezikut më i rëndësishëm që mund të modifikohet
është duhanpirja. Rreziku i zhvillimit të infarktit të miokardit është i
lidhur drejtpërdrejt me sasinë e cigareve që pihen në ditë. Ai rritet
tre herë tek meshkujt dhe gjashtë herë te femrat që pijnë më shumë se 20
cigare në ditë krahasuar me jo-duhanpirësit.
Pirja e duhanit ul përqëndrimin e "kolesterolit të mirë”
(HDL-lipoproteina me densitet të lartë) dhe rrit përqëndrimet e
"kolesterolit të keq” (LDL-lipoproteina me densitet të ulët). Duhanpirja
rrit përqëndrimin e monoksidit të karbonit në gjak i cili rrit rrezikun
e dëmtimit të veshjes së brëndëshme të murit të arteries dhe shkakton
gjithashtu edhe ngushtime të mëtejshme apo spazma të arterieve të
prekura tashmë nga ateroskleroza.
Personat që ndalojnë pirjen e duhanit e përgjysmojnë rrezikun
krahasuar me ata që vazhdojnë pavarësisht kohëzgjatjes që ata kanë pirë
më parë. Ndalimi i duhanpirjes ul gjithashtu rrezikun e vdekshmërisë pas
infarktit akut të miokardit apo kirurgjisë koronare. Përfitimet e
ndalimit të duhanpirjes fillojnë menjëherë dhe rriten me kalimin e
kohës.
Yndyrnat e larta në gjak: Niveli i lartë i kolesterolit është një
faktor tjetër rreziku i rëndësishëm që mund të modifikohet. Një dietë e
pasur me yndyna të saturuara shkakton rritjen e niveleve të LDL-së.
Niveli i kolesterolit rritet me moshën dhe është më i lartë tek
meshkujt sesa tek femrat megjithëse ai rritet edhe tek femrat pas
menopauzës. Disa crregullime të trashëguara sjellin nivele të larta të
kolesterolit dhe yndyrnave të tjera. Personat me këto çrregullime nëse
nuk trajtohen rrezikojnë të vdesin nga sëmundja e arterieve koronare në
moshë të re. Jo të gjitha llojet e kolesterolit e rrisin rrezikun e
aterosklerozës.
Një nivel i lartë i HDL-së (kolesteroli i mirë) e ul këtë rrezik.
Vlerat e dëshiruara të kolesterolit total që përfshijnë LDL-në, HDL-në
dhe trigliceridet janë 140-200 mg/dl. Rreziku i infarktit të miokardit
dyfishohet nëse niveli i kolesterolit total i afrohet 300mg/dl. Rreziku
ulet nëse LDL-ja është nën 130 mg/dl dhe HDL-ja mbi 40 mg/dl. Tek
njerëzit me rrezik të lartë, si për shembull ata me diabet sheqeri,
sëmundje aterosklerotike prezente, infarkt miokardi, insult cerebral apo
pas kirurgjisë koronare vlerat e LDL-së duhet të jenë nën 70 mg/dl.
Hipertensioni: Tensioni lartë i pakontrolluar është një faktor i
rëndësishëm për shkaktimin e infarktit të miokardit dhe insultit
cerebral. Rreziku kardiovaskular fillon të rritet që kur vlerat e
tensionit janë rreth 110/75 mmHg. Ulja e tensionit arterial redukton në
mënyrë të qartë rrezikun kardiovaskular. Mjekët shpesh përpiqen për të
arritur një tension arterial nën 140/90 mmHg dhe nën 130/80 mmHg tek
pacientët me diabet apo sëmundje të veshkave.
Diabeti e sheqerit: Personat me diabet sheqeri të tipit I kanë tendencë
për të zhvilluar sëmundje aterosklerotike që prek arteriet e vogla në
sy, nerva apo veshka duke shkaktuar humbje të shikimit, dëmtim të
nervave dhe insuficiencë të veshkave. Personat me diabet sheqeri të
tipit II kanë tendencë të zhvillojnë sëmundje aterosklerotike të
arterieve të mëdha. Këta njerëz kanë tendencë të zhvillojnë sëmundje
aterosklerotike në një moshë më të re dhe në një mënyrë më të përhapur
krahasuar me njerëzit pa diabet. Rreziku i zhvillimit të aterosklerozës
është dy deri gjashtë herë më i lartë tek diabetikët vecanërisht tek
femrat.
Obeziteti: Personat obezë kanë një rrezik të lartë për zhvillimin e
aterosklerozës së arterieve koronare. Obeziteti abdominal rrit rrezikun
për zhvillimin e faktorëve të tjerë të rrezikut si hipertensioni
arterial, diabeti i sheqerit, vlerat e larta të kolesterolit.
Jeta sedentare: Jeta sedentare duket se rrit rrezikun e zhvillimit të
sëmundjes së arterieve koronare. Shumë të dhëna tregojnë se ushtrimi i
rregullt dhe në nivele mesatare redukton rrezikun dhe ul vdekshmërinë
nga sëmundjet kardiovaskulare.
Ecja normale për rreth 4 – 5 km në ditë është një ushtrim i
mjaftueshëm dhe i lehtë për tu bërë në jetën e përditshme. Sportet e
tjera si vrapimi e noti duket se formojnë një trup shumë të shëndetshëm.
Ushtrimi i rregullt ndihmon edhe në modifikimin e faktorëve të tjerë të
rrezikut të aterosklerozës – duke ulur tensionin arterial, vlerat e
kolesterolit, duke ndihmuar në reduktimin e peshës dhe rezistencës ndaj
insulinës.
Mënyra e ushqyerjes: Dieta e pasur me fruta e perime ul rrezikun e
sëmundjes së arterieve koronare. Nuk dihet nëse këto përfitime vijnë për
shkak të ndonjë substance kimike që ato përmbajnë (fitokimikate) apo
personat që përdorin këtë lloj diete konsumojnë më pak yndyrna të
saturuara e më shumë fibra dhe vitamina.
Megjithatë fitokimikatet të quajtura flavonoide që gjënden tek rrushi
i zi dhe i kuq, vera e kuqe, çaji i zi, dhe birra e zezë duken
vecanërisht se kanë veti mbrojtëse. Përqendrimi i lartë tek vera e kuqe
mund të shpjegojë faktin pse francezet kanë një incidencë relativisht të
ulët të sëmundjes së arterieve koronare edhe pse konsumojnë më shumë
duhan dhe yndyrna krahasuar me amerikanët. Thënia se marrja e pakët e
yndyrnave është e rëndësishme për një dietë të shëndetshme është
pjesërisht e vërtetë sepse ka rëndësi edhe lloji i tyre.
Yndyrnat e ngurta si gjalpi janë përgjegjëse për shkaktimin e
aterosklerozës. Pra ato duhet të evitohen sa të jetë e mundur dhe në
vend të tyre të zgjidhen ushqime me yndyrna të pasaturuara që gjenden
tek arrat, farnat e ndryshme, vajrat dhe majoneza. Yndyrnat Omega-3 dhe
Omega-6 janë thelbësore për një dietë të shëndetshme.
Omega-3 gjendet tek peshqit si salmoni e toni, lajthitë e bajamet.
Omega-6 gjenden tek arrat, farnat, vaji lulediellit dhe vaji i misrit.
Alkooli: Personat që konsumojnë sasi të moderuara alkooli duket se kanë
një rrezik më të vogël për zhvillimin e sëmundjes së arterieve koronare
sesa ata që pinë shumë apo nuk pinë fare. Alkooli rrit nivelet e
kolesterolit të mirë (HDL) dhe gjithashtu ul rrezikun e mpiksjes së
gjakut, redukton inflamacionin dhe ndihmon në mbrojtjen e trupit nga
nënproduktet e aktivitetit qelizor.
Përdorimi i dy gotave pije alkoolike në ditë duket se ul rrezikun e
sëmundjes së arterieve koronare (ndërkohë që rrit lehtësisht atë të
insultit cerebral). Sasitë mbi normën e lejuar (14 pije në javë për
meshkujt dhe 9 pije në javë për femrat) mund të shkaktojë probleme të
rëndësishme shëndetësore që janë në raport me sasinë e përdorur.
|