PERSPEKTIVA SOCIOLOGJIKE E FESË
Feja përbën njërën nga forcat më të fuqishme, thellë e ndjerë dhe me ndikim të madh në shoqërinë njerëzore. Ajo i trajtëson marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ushtron ndikim të bujshëm mbi familjet, mbi bashkësitë, mbi jetën ekonomike dhe mbi atë politike. Besimet dhe vlerat fetare i motivojnë veprimet njerëzore, kurse grupimet fetare i organizojnë mënyrat e shprehjes kolektive të fesë. Feja është një aspekt i rëndësishëm i jetës shoqërore, por nga ana tjetër, edhe dimensioni shoqëror është pjesë e rëndësishme e vetë fesë. Sociologët shprehin interesim për studimin e fesë para së gjithash për dy arsye: E para, feja është me shumë peshë për një numër të madh njerëzish. Praktikat fetare janë pjesë e rëndësishme e jetës fetare të shumë individëve. Vlerat fetare ndikojnë mbi veprimet e një numri shumë të madh të qenieve njerëzore, kurse kuptimet fetare u ndihmojnë atyre t'i shpjegojnë përvojat e tyre. Sociologët përpiqen ta kuptojnë domethënien që e ka feja për vetë besimtarët. E dyta, feja është një objekt i rëndësishëm për hulumtimet sociologjike për shkak të ndikimit që ka ajo mbi shoqërinë, si dhe për shkak të ndikimit që shoqëria ushtron mbi fenë. Analiza e këtij raporti dinamik kërkon ekzaminim të ndërvarësisë mes fesë dhe aspekteve të tjera të shoqërisë. Zakonisht kjo do të thotë hetim i mënyrave të ngurta të kuptimit të veprimit shoqëror. Që nga zanafilla e kësaj disipline, sociologët janë përpjekur ta kuptojnë shoqërinë më të gjerë pikërisht në saje të shqyrtimit të fesë dhe ndikimit të saj.
KONTURAT FETARE TË NJË BASHKËSIE
Para se ta shqyrtojmë fenomenin e fesë në thellësi, është e radhës t'i përmendim konturat e fesë ashtu siç duken në një bashkësi.[2] Ky ndriçim i fesë i nxjerr në pah disa prej pyetjeve të cilat sociologu i shtron gjatë studimit, analizimit dhe interpretimit të pozitës së fesë në shoqërinë bashkëkohore. Për shembull, cilat janë disa prej përvijimeve fetare të San Antonios, Texas, ku jetoj e punoj unë?
Shembulli në fjalë tregon se qyteti i zënë ngoje është emërtuar sipas një shenjtori katolik, Antoni, i cili ka qenë mecenë i misionit franciskan San Antonio de Valero të shekullit XVIII. Katolicizmi çdoherë ka qenë fe qendrore në San Antonio, por ky qytet gjithashtu ka një histori të gjatë të larmisë fetare dhe etnike brenda shprehjes fetare katolike. Grumbuj të tërë imigrantësh e kanë sjellë me vete besimin katolik nga vendet e tjera, siç janë Ishujt Kanarine të Spanjës, Gjermania, Irlanda, Franca dhe Çekosllovakia dhe këto grupe besimin e tyre e kanë shprehur në mënyra të ndryshme. Katolicizmin lokal e kanë trajtësuar jo vetëm dallimet etnike, por edhe ato klasore dhe statusore. Në shekullin XIX, fëmijët ekonomikisht të kamur që kanë ndjekur shkolla fetare janë ndeshur me versione të ndryshme të fesë së tyre, dallime këto që ata i kanë vërejtur më tepër se punëtorët e varfër, feja e të cilëve ndërmjetësohej nga shenjtorët vendës, nga lojërat misterioze, pelegrinazhet dhe njohuritë e begata popullore.
Disa dhjetëvjeçarë më vonë, përkundër përvojave homogjenizuese të arsimit, mobilitetit ekonomik, ndërmartesave dhe këmbimeve ndërkombëtare kishtare, shumë prej këtyre katolikëve ende vazhdojnë që t'i jetësojnë mënyrat e ndryshme të adhurimit dhe fetarësisë në gjuhë, gjeste dhe idioma, zakonisht duke kremtuar aspekte të ndryshme të fesë së njëjtë botërore. Sociologu do të kishte dashur të dinte edhe më tepër: Ç'kuptim ka të qenët katolik për vetë besimtarët e sotëm të San Antonios?; Si u ndihmon atyre feja në kuptimësimin e jetës?; Si ndikon ajo në sjelljen e tyre, në vendimet që i marrin në vendin e punës ose në shfrytëzimin e kohës së lirë?; Si ndikon feja në sjelljen e tyre politike dhe morale?; A e ndiejnë ata përkatësinë ndaj bashkësisë së bashkëbesimtarëve të tyre?; Cilët besimtarë konsiderohen „tonët" dhe ç'trajtë i jep feja jetësimit të fesë?
Konturat e fesë në San Antonio tregojnë se katolicizmi nuk e mban lidhjen mes të gjithë të ashtuquajturve "latino" (kryesisht meksikano-amerikanë) që përbëjnë shumicën etnike të banorëve të qytetit. Aty veprojnë edhe shumë kisha të vogla aktive pentekostale[3] spanjishtfolëse dhe evangjelike protestante. Të ndara, por të njëjta në mënyrën e adhurimit, janë grupimet pentekostale dhe evangjelike që u shërbejnë banorëve të bardhë dhe afro-amerikanëve. Shumë prej këtyre kongregacioneve[4] janë jashtëkishtare, as nuk bashkohen e as nuk e pranojnë mbikëqyrjen e ndonjë trupi më të madh fetar. Disa prej këtyre kishave zbatojnë forma më ngazëlluese të adhurimit sesa grupimet fetare të rrymës qendrore.
Fetaria gjallëruese (përfshirë edhe pasqyrimet si shprehja me gjuhë, shërimi përmes besimit dhe ekzorcizmi[5]) i kanë mahnitur sociologët dhe antropologët, të cilët me këtë rast i kanë shtruar pyetje si: Cili është karakteri shoqëror i këtyre përvojave të jashtëzakonshme fetare?; Si arrin që grupi ta shërojë personin e sëmurë?; Si arrin që grupi ta gjenerojë dhe ta orinetojë këtë entuziazëm?; Cilat janë efektet e këtij lloji të fetarisë mbi jetën e përditshme të anëtarëve?; Në ç'mënyrë këto grupe rekrutojnë dhe kthejnë në fenë e tyre anëtarë të rinj?; Cila janë disa prej karakteristikave klasore, arsimore e të tjera, që ndërlidhen me thirrjen e këtyre grupimeve?; Çfarë ndikimi ka pavarësia prej vijës së besimit mbizotërues mbi strukturën, besimin dhe praktikat grupore?
Kishat baptiste jugore të San Antonios shëmbëllejnë të vërtetën se madje edhe grupet fetare që identifikohen me denomiancionet e vijës kryesore mund të shfaqin dyshime lidhur me çështjen e përkatësisë. Viteve të fundit, kjo vijë fetare kryesuese është dëmtuar nga mospajtimet dhe hezitimet lidhur me rolin e mirëfilltë të trupit fetar kombëtar: A thua fraksioni që e shenjon konventën kombëtare ka të drejtë të kërkojë prej kongregacioneve anëtare ta pajtojnë atë me versionin e veçantë të besimit dhe praktikës baptiste? Ajo që duket si përpjekje organizative i përmbledh në vete disa prej vlerave dhe bindjeve thelbësore të kësaj feje. Baptistët[6] jugorë përbëjnë sektin më të madh protestant në këtë qytet, ndërsa prijësit lokalë janë të spikatur edhe në luftën kombëtare. Çdoherë që mbahet konferencë kombëtare, lajmet për baptistët jugorë shndërrohen në storje të faqes së parë, në tituj kryesorë të gazetave kryesore të qytetit.
Sociologët fascinohen për të mësuar më tepër rreth këtij fraksioni të shtrirë si në aspektin vendor, ashtu edhe në atë kombëtar: Çka ndodhë (në çdo nivel të organizimit) kur një segment i anëtarësisë përpiqet t'i vë themelet e besimit (d.m.th. kufijtë e asaj që duhet besuar ose zbatuar për të qenë „njëri prej nesh"?; Si reagojnë grupet fetare ndaj ndryshimeve shoqërore dhe ndaj modernitetit? Si bëhen ndryshimet brenda grupit shoqëror, prej lart poshtë apo prej poshtë lart?; Si ndikon qëndrimi i këtij denominacioni[7] ndaj shoqërisë dhe anëtarëve të saj?
Ortodoksia është e huaj për baptistët, kurse në shumë fe hierarkike ajo është e familjarizuar dhe e çmuar. Përveç katolikëve dhe episkopalianëve, në hapësirën e këtij qyteti gjallërojnë edhe shumë grupime fetare të lashta. Një ndodhi që është shënuar në mediat e këtushme ka qenë vizita që patriku ia ka bërë kishës lokale kopte, Shën Antoni i Madh. Krishterimi kopt daton që nga evangjelizimi i Egjiptit që ndodhi në shekullin I dhe sot pjesa dërrmuese e këtij besimi fetar jetojnë në Lindjen e Mesme. Enklava kopte në këtë qytet amerikan është kishë diaspore (e njerëzve që jetojnë shumë larg atdheut të vet). Të tillë për nga natyra janë edhe besimtarët maronitë libanezë, grekët ortodoksë dhe shumë pakica të tjera etno-fetare.
Duke i vëzhguar këto përvijime domethënëse të hartës fetare të qytetit, sociologu, mes tjerash do t'i kishte shtruar edhe këto pyetje: Në ç'mënyrë feja ndërlidhet me identitetin etnik dhe gjuhësor?; Si e mbrojnë veten këto identitete ndaj shtypjeve për integrim në kulturën më të madhe, ndaj martesave të përziera, ndaj trysnive mediave, si dhe ndaj trysnive për arsim dygjuhësh ose vetëm në gjuhën angleze?; Si reagojnë këto grupe fetare të rrëpira thellë në traditë ndaj sfidave moderne vis-à-vis normave tradicionale (si p.sh. përpjekjet për ta ripërkufizuar rolin e gruas ose për ta demokratizuar vendimmarrjen brenda vetë kishës)? Pyetje të ngjashme mund të shtrohen edhe në lidhje me traditat e jo të krishtera që veprojnë në San Antonio, si ajo hebraike, hinduse, islame...
Zhvillimet në Misionin Mysliman amerikan të San Antonios kanë reflektuar ndryshime në përmasa kombëtare. Çdo vizitor i këtij organizmi fetar përnjëherë do ta vërejë lidhjen mes myslimanëve "të lindur amerikanë" dhe atyre të ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme. Lëvizja e Myslimanëve të Zinj ka qenë tepër jotolerante ndaj përkatësve të racave dhe feve të tjera, madje relativisht e palidhur me islamin si fe gjithëbotërore. Malcolm X ka qenë njëri prej liderëve të parë të Myslimanëve të Zinj që ka pasur një vizion më të gjerë për islamin, andaj një pjesë e pasuesve të kësaj lëvizjeje e kanë ndjekur shembullin e tij për tolerancë më të madhe dhe për studim më të përthelluar të islamit, duke u bërë në këtë mënyrë pjesë e degës sunite të besimit universal.
Duke i vëzhguar këta zezakë amerikanë, njohuritë e tyre për Kur'anin dhe për obligimet fetare që duhet zbatuar, sociologu mund të shtrojë pyetjet në vijim: Në ç'formë ky përkushtim fetar ia del të organizojë protestë kundër vlerave dhe qëndrimeve të kulturës mbizotëruese në Shtetet e Bashkuara?; Si e trajton feja racizmin dhe jotolerancën në shoqërinë amerikane?; Në ç'mënyrë enklavat sektare, si Myslimanët e Zinj,[8] përfitojnë anëtarë të rinj dhe i ruajnë anëtarët më të vjetër? Si kanë ndikuar bindjet dhe praktikat e këtyre grupeve në gjendjen socio-ekonomike të pjesëtarëve të tyre?
Përveç feve të njohura botërore, konturat fetare të San Antonios përfshijnë edhe lëvizje religjioze të reja. Shumë grupe medituese praktikojnë kombinime eklektike të teknikave meditative lindore, disiplina trupore dhe rite qetësuese. Për shembull, grupi i Epokës së Re (New Age),[9] ka huazuar elemente nga meditimi Joga, ai reiki („fe e re" japoneze), nga aromaterapia, nga simbolizmi pagan dhe kristian, si dhe nga psikologjia moderne. Një pjesë e mirë e anëtarëve të këtij grupi njëherësh mbeten aktivë në kishat e tyre sektare kristiane. Një grup tjetër kufizohet në anëtarësinë femërore, mundohet të krijojë dhe të shprehë një fe jopatriarkale, duke u fokusuar në imazhin e perëndeshës, të derivuar nga dituria kelte, me gërshetime të simboleve dhe ritualeve të tyre të reja.
Për vëzhguesin-sociolog posaçërisht është mbresëlënës fakti se këto fe të reja shpesh janë të përhapura madje në mesin e njerëzve të arsimuar, te ata me gjendje të mirë ekonomike, te të rinjtë ose te njerëzit e moshës së mesme, pikërisht te ata që sipas parashikimeve të mëparshme, duhej të ishin tërësisht jofetarë. Çka tregojnë këto rryma të reja fetare lidhur me pozitën e fesë në shoqërinë moderne? Cilat janë elementet themelore të joshjes së këtyre segmenteve të shoqërisë? Si lindin fetë „e reja"? Sa janë të fuqishme ndryshimet në rite dhe simbolizëm për të gjeneruar shndërrime afatgjata të identiteteve dhe stileve jetësore të njerëzve?
Megjithëse këto lëvizje të reja fetare nuk e paraqesin veten si alternativa të feve tradicionale, është e qartë se besimi dhe praktikat e tyre kanë cilësi fetare. Ngjyrime më të pakta fetare ka vargu i grupimeve pothuaj fetare. Analiza e plotë e konturave fetare të San Antonios përfshin studimin e disa prej këtyre njësive që funksionojnë si grupime fetare, ndonëse mbetet për t'u diskutuar nëse ato në të vërtetë janë fetare. Një prej grupimeve më të vjetra parareligjioze në këtë qytet është Ku Klux Klan, një shoqëri e fshehtë militante dhe e dhunshme, e organizuar kundër jo të bardhëve dhe jokristianëve. Në dekadat e hershme të shekullit XX, anëtarët e Klanit hapur kanë parakaluar me kapuçët e tyre specifikë nëpër rrugët e qytetit të San Antonios, duke shpallur "forcën" e tyre vendëse dhe duke e lartësuar identitetin e tyre grupor përmes fotografive të varura para Alamos. Ritualet, simbolet dhe identiteti grupor i parareligjioneve si KKK janë të vlefshme për t'u analizuar.
Si duhet t'u qaset sociologu i religjionit riteve dhe simboleve kuazifetare përmes të cilave lartësohet dhe kuptohet kombi? Është mjaft interesant karakteri fetar i frikërespektit të frymëzuar nga Alamo. Vizituesit e këtij tempulli të lirisë amerikane preken nga imazhi i martirëve, i vendeve „të shenjta", nga objektet e rregulluara me plot përkushtim brenda mureve të shkërmoqura të misionit të vjetër, që mbajnë në kujtesën kolektive disa vlera të kombit. Alamo frymëzon kujtesën kolektive të vizitorëve amerikanë dhe të anglove vendës, pavarësisht mundësisë historike që heronjtë e Alamos[10] të kenë luftuar për statusin e Teksasit brenda Meksikos (e jo për të qenë pjesë e Shteteve të Bashkuara) dhe të kenë qenë motivuar më tepër nga interesa personale ekonomike sesa nga ideali i lirisë politike.
Ky lloj i fetarisë që sillet rreth kombit dhe simboleve të tij (kjo temë më gjerësisht do të shyrtohet në Kapitullin 6) është me interes të madh për sociologët, të cilët i shtrojnë këto pyetje: Si e krijojnë, ruajnë dhe shprehin shoqëritë moderne të ndërlikuara kohezionin e tyre?; Në ç'mënyrë mitet dhe ritualet tona përfshijnë kujtesën përzgjedhëse?; Në çfarë mënyre këto besime dhe praktika ia japin trajtën kombit që ne duam të jemi dhe shërbejnë si bazë e vetëkritikës kombëtare?; Si ndodh që idetë dhe afshi fetar civil disa herë të përdoren për t'i legjitimuar interesat e një grupi ndaj tjetrit?; Si shfrytëzohen ato në manipulimet politike?
A thua feja po e humb ndikimin? Njëherë e kam nxitur grupin tim të studentëve që të përdorin shembuj nga ky komunitet për të ma mbushur mendjen se përgjigjja nuk është një "jo" e thjeshtë. Ata prezantuan të dhëna të shumta për gjallërinë e fetarisë së drejtuar nga kisha në qytet, si p.sh. me numrin e anëtarëve të kishave dhe të atyre që vazhdimisht i kryejnë shërbesat fetare. Treguesi më mbresëlënës, megjithatë, ishte ndikimi i pasqyrimeve fetare që nuk identifikohet hapur me organizatat fetare. Një student pat përshkruar një çift të moshës së mesme që kishte zgjedhur të jetojë, të punojë dhe t'i rrisë fëmijët e vet në një kuart latin, afër bujtinës publike më të keqe të qytetit. Përpjekjet e tyre ditore për t'ua përmirësuar të varfërve kushtet arsimore, kushtet e banimit, si dhe shërbimet e tjera të bashkësisë, ishin refleksione të bindjeve të tyre fetare, edhe pse ata punën e tyre të papaguar nuk e identifikonin me ndonjë organizatë të veçantë fetare. Një shembull tjetër ishte ai i një bashkësie grash, të cilat kishin formuar një grup për ndihmë spirituale dhe psikologjike ndaj grave të keqtrajtuara. Shembujt si këto janë vërtet të rëndësishëm, sepse tregojnë vijat fetare të komunitetit.
Skica në vija të trasha e gjendjes fetare në qytet tregon se një analizë më e thellë e rolit të fesë është thelbësore për kuptimin e shoqërisë në tërësi. Analizat sociologjike na ndihmojnë t'i kapim kuptimet e shumta të fesë, t'i kuptojmë traditat e fuqishme, dinamizmin dhe ndryshimin e fesë sot.
Shënimet:
[1] Shkëputur prej Meredith B. McGuire, Religjioni: Konteksti social, Logos-A, Shkup, 2007, fq. 27-34.
[2] Është Philip Hammond ai që e ka propozuar metaforën e konturave të fesë.
[3] Pentekostalizmi është një rrymë fetare e shfaqur në kuadër të traditës protestante nën drejtimin e Charles W. Parham (1873-1929) dhe William J. Seymour (1870-1922). Pentekostalët besojnë se edhe ata mund ta arrijnë përvojën dhe shpërblimet që i kanë arritur të krishterët e parë ditën e pentekostit.
[4] Në origj. congregation (gjer. die Gemeinde, ital. congregazione, assemblea, frengj. assemblée des fidèles, ar. -tur. xhemaat). 1. Kuvend i personave të bashkuar për adhurime fetare të përbashkëta. 2. Akt i bashkimit ose gjendje e të qenët i bashkuar. 3. Trup i mbledhur. 4. Organizatë e formuar për ta lutur Zotin, për arsim fetar dhe për veprimtari të tjera kishtare; bashkësi kishtare lokale. 5. Dhiata e re: kisha e krishterë në përgjithësi. 6. Kisha katolike romake: a. komitet i kardinalëve ose i klerikëve të tjerë. b. bashkësi e meshkujve dhe femrave që zbatojnë një rregull të përgjithshëm. 7. (në universitetet anglishfolëse) kuvendi i përgjithshëm i doktorëve, anëtarëve etj. 9. (në Amerikën Veriore koloniale) famulli, qytet, plantacion... (Random House Unabridged Dictionary, Random House, Inc. 2006 - shën. i përkth.)
[5] Largimi i shpirtit të keq. (shën. i përkth.)
[6] Ithtarë të kishës baptiste ose të denominacionit baptist. Tradita baptiste bazohet në bindjen se ithtarët e Jezu Krishtit duhet të zhyten në ujë në shenjët të pagëzimit, purifikimit dhe të shfaqjes publike të besimit. Baptistët nuk bëjnë pagëzimin e fëmijëve. Riti i pastrimit në ujë ndërlidhet edhe pranimin në anëtarësi të plotë të krishterimit. Në baptizëm nuk ka hierarki "lart-poshtë" si në kishën katolike, anglikane ose disa të tjera. (shën. i përkth.)
[7] Në origj. denomination (gjerm. die Konfession, ital. setta, frengj. secte, arab. taife, turq. mezhep). Grup fetar që zakonisht përfshin kisha të shumta lokale, më i madh se sekti. Grup i madh i kongregacioneve fetare të bashkuara në besimin, emrin e përbashkët, dhe të organizuara nën një hierarki administrative dhe ligjore të vetme. (Random House Unabridged Dictionary, Random House, Inc. 2006; Kernerman English Multilingual Dictionary, Beta Version, 2000-2006 - shën. i përkth.)
[8] Black Muslims është frazë e përdorur në Shtetet e Bashkuara për t'i shënuar ithtarët e lëvizjes nacionaliste të zezakëve të Louis Farrakhanit, lëvizje kjo e mbiquajtur Kombi i Islamit. Termi myslimanët e zinj është derivuar në vitin 1959 nga një dorëshkrim i një libri të Dr. C. Eric Lincoln, që analizonte ndikimin në rritje të Kombit të Islamit në SHBASHBA. Lëvizja në fjalë asnjëherë s'e ka pëlqyer pagëzimin si "myslimanët e zinj" dhe publikisht e ka hedhur këtë emërtim që bie ndesh me doktrinën islame, sipas të cilës dallimet racore janë irelevante. (shën. i përkth.)
[9] Lëvizje e gjerë e fundit të shekullit X, kultura bashkëkohore perëndimore që karakterizohet nga qasja eklektike dhe individuale ndaj kërkimit shpirtëror. New Age është lëvizje e shumëllojshme e individëve, përfshirë edhe shumë të atillë që i shartojnë besimet e kohës së re mbi ato tradicionale. Sondazhet e fundit në SHBA SHBA kanë treguar se 20 % e amerikanëve pasojnë nga disa besime të New Age. (shën. i përkth.)
[10] Betejë e zhvilluar në vitin 1836 mes Republikës së Meksikës dhe forcave të Teksasit, përfshirë edhe anglosët dhe tejanosët (meksikanët etnikë të Teksasit), të cilat luftonin për pavarësi (Revolucioni i Teksasit). Në këtë betejë, pas rrethimit trembëdhjetëditor, vdiqën të gjithë mbrojtësit teksasianë, me përjashtim të disa robërve, grave dhe fëmijëve, por e njëjta e ndaloi progresin e forcave meksikane dhe ia hapi dyert fitores në San Jacinto dhe procesit politik drejt pavarësimit përfundimtar të Teksasit. (shën. i përkth.)
.